Rritja reale ekonomike në Shqipëri është ajo e publikuar nga Instituti i Statistikës.
INSTAT-i mbështet deklaratat e Kryeministrit se rritja ekonomike në vend është në shifrën 9.9 për qind. Nëndrejtorja e INSTAT-it, Ledia Thomo, ka konfirmuar dje edhe një herë të dhënat e këtij institucioni mbi rritjen ekonomike. Thomo theksoi se rritja prej 9.9 për qind është pranuar edhe nga FMN-ja, madje kjo është bërë në një raport zyrtar. “INSTAT-i e ka ndjekur me vëmendje debatin e djeshëm në lidhje me shifrat e rritjes ekonomike në Komitetin e Planifikimit të Strategjive. Duke ndier detyrimin për informimin sa më transparent të publikut shqiptar në lidhje me treguesit që ai boton, INSTAT-i konfirmon që rritja ekonomike me bazë tremujore deri në muajin shtator të këtij viti, duke përfshirë katër tremujorë (i katërti 2007 plus 3 tremujorët e parë 2008) është 9.9% dhe deri tani nuk disponon asnjë të dhënë tjetër mbi këtë tregues”, – tha dje Thomo.
Thomo theksoi ndër të tjera se kjo shifër është konfirmuar dhe nga eksperti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka punuar në INSTAT dhe është dërguar në formën e një raporti zyrtar. Ajo pranoi se kjo nuk është shifër përfundimtare, pasi të dhënat për rritjen ekonomike janë objekt i revizionimit të vazhdueshëm në kohë.
Dy ditë më parë, shifra reale mbi rritjen ekonomike u bë shkak për një debat publik mes Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, gjatë kohës kur zhvillohej mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjisë Kombëtare. Kreu i qeverisë dhe ministri Bode në këtë debat për rritjen ekonomike, nuk ndanë të njëjtin mendim për shifrën. Ndonëse palët iu referuan statistikave të INSTAT-it, Berisha përmendi shifrën 9.9 për qind, kurse Bode atë 7 për qind. Por Kryeministri, si Bodes, ashtu dhe zëvendësit të tij, Florion Mima, u vuri në dukje se kanë konflikt interesash me shifrat. Kryeministri këmbënguli se shifra reale është ajo e publikuar nga INSTAT-i, ndërkohë që Bode theksoi se shifra e Institutit të Statistikave i përket tremujorit dhe nuk korrespondon me shifrën vjetore. Sipas ministrit Bode, rritja ekonomike vjetore ka qenë në shifrën 7%. Ky afirmim u kundërshtua nga Kryeministri i cili u shpreh se kjo shifër bie në kundërshtim me atë të shpallur nga Instituti i Statistikave, që ka deklaruar se rritja ekomomike ka qenë në nivelin 9.9%. Madje Kryeministri Berisha nuk ka ngurruar t’i vërë në dukje Ministrit Bode se ministria që ai drejton ka konflikt interesi me shifrat reale të certifikuara nga FMN-ja. Pavarësisht replikave të djeshme të Berishës me Boden, statistikat e fundit thonë se shqiptarët këtë vit kanë qenë thuajse 10 për qind më të pasur në vlerë nominale. Të paktën kështu tregohet nga shifrat e Institutit të Statistikës, sipas të cilave, rritja vjetore e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ishte 9.9% në tremujorin e tretë të 2008-ës. Edhe sipas Bankës Botërore, Shqipëria konsiderohet si një vend me rritje ekonomike të kënaqshme dhe relativisht të lartë. Kryeministri Berisha e kishte paralajmëruar muaj më parë, duke deklaruar se për vitin 2008 pritej një rritje ekonomike dyshifrore. Por treguesit 9.9 për qind të rritjes ekonomike për tremujorin e fundit të vitit 2008, ishin pikë e nxehtë edhe e debateve në Kuvend mes pozitës dhe opozitës. Ndërkohë që gjatë publikimit të këtij treguesi ekonomik, drejtorja e INSTAT-it, Ines Nurja, deklaroi se të dhënat janë nxjerrë në asistencë të plotë të ekspertëve të FMN-së. Ajo renditi investimet në rrugën Durrës-Kukës dhe Postë-Telekomunikacion, si kontribuuesit më të mëdhenj në këtë rritje.
















