Shqipëria rekord për investimet e huaja

Posted on 25 September 2009 by admin

Kombet e Bashkuara prezantojnë Raportin Botëror të Investimeve 2009

Ndër gjithë ekonomitë në tranzicion, Shqipëria mban rekord për thithjen e investimeve të huaja. Ky është përfundimi i Raportit Botëror të Investimeve 2009, i prezantuar nga Kombet e Bashkuara në Shqipëri. Raporti, i përgatitur çdo vit nga Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), këtë vit fokusohet te tendencat e investimeve të huaja, para dhe gjatë krizës ekonomike, gjithashtu edhe mbi rolin e rëndësishëm që këto investime mund të kenë në rritjen e prodhimit bujqësor. Ekspertët që kanë marrë në analizë shifrat vlerësojnë se rritja domethënëse e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, sikurse në vendet e tjera në rajon, bazohet kryesisht në “privatizimin e kompanive të mëdha që më parë ishin në pronësi të shtetit dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit”. Sfida më e rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e rajonit është e ardhmja e këtyre privatizimeve në rritjen e vendeve të punës dhe performancës së vendit.

Raporti

Raporti u bë publik nga zyra e Koordinatores së Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. “Në Evropën Juglindore, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë pasur një zhvillim pozitiv sa i përket investimeve të huaja direkte vetëm në vitin 2008 përkundrejt vitit 2007. Krahasuar me ekonomitë në tranzicion në mbarë botën, Shqipëria mban rekord, pas Armenisë, në rritjen e IHD-së në vitin 2008, duke shënuar 45 për qind rritje në investimet e huaja direkte”,- theksohet në raport. Rrjedha e investimeve të huaja direkte është prekur rëndë në mbarë botën nga kriza ekonomike, sipas tij. Rrjedha e investimeve vazhdon të bjerë përgjatë gjithë rajoneve, nga niveli më i lartë, 2 trilionë dollarë në vitin 2007, në 1.7 trilionë në vitin 2008, në 1.2 trilionë në vitin 2009. Pritet një rigjenerim i ngadaltë në vitin 2010 me një arritje maksimale në vitin 2011. Kriza ka ndryshuar tablonë e investimeve: në vitin 2008, ekonomitë në zhvillim dhe në tranzicion rritën aksionet e tyre në rrjedhat botërore të investimeve me 43 për qind, ndërkohë që investimet në vendet e zhvilluara dhe nga këto vende pësuan rënie. “Reformat e fundit të qeverisë, si privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, synuan tërheqjen e investimeve të huaja dhe kanë ndihmuar Shqipërinë të arrijë një nivel të lartë të shifrave të IHD-së në vitin 2008”, – është shprehur Gulden Turkoz-Cosslett, koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe përfaqësuesja e përhershme e PNUD-it.

Sfidat

Koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe përfaqësuesja e përhershme e PNUD-it ka bërë të ditur se sfida përpara ka të bëjë me mbajtjen e një niveli të qëndrueshëm rritjeje të IHD-së me anë të politikave të drejta dhe krijimit të një mjedisi të përshtatshëm. “Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeverinë në përpjekjet e saj për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për rritjen e qëndrueshme të IHD-së në vend”, – tha ajo.

Bilanci i pagesave

Sipas Bankës së Shqipërisë, bilanci i përgjithshëm i pagesave për tremujorin e dytë të 2009-s rezultoi në rritje të mjeteve valutore me 142 milionë euro. Tremujori i dytë u mbyll me një deficit të llogarisë korente prej 360 milionë eurosh. Në krahasim me tremujorin e dytë të 2008-s, deficiti u zvogëlua me rreth 3 milionë euro, nga 363 milionë euro. Flukset hyrëse të kapitalit regjistruan vlerën 434 milionë euro, duke tejkaluar dhe financuar plotësisht deficitin korent.

Share and Enjoy:
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • MySpace
  • Reddit
  • Technorati
  • Yahoo! Buzz
  • LinkedIn
  • BlinkList
  • Propeller
  • Twitter
  • Google Bookmarks

Leave a Reply

Advertise Here
Advertise Here