Shqipëria dhe Italia u hapin rrugën investimeve të mëtejshme të prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike. Në Tiranë, të dy ministrat e Ekonomisë, ai shqiptar Genc Ruli dhe homologu i tij italian Klaudio Skajola, nënshkruan tri marrëveshje për integrimin e sistemit të gazit dhe atij energjetik, me vlerë 60 milionë euro. Ministri Skajola tha se pas 40 viteve të ardhshme, nevojat e planetit për energji do të rriten me 2,5 herë, prandaj duhet prodhuar më shumë energji, por pa dëmtuar mjedisin. Sipas tij, Italia e konsideron Shqipërinë si një partner strategjik në Ballkan në planin energjetik, për krijimin e interkonjeksionit me Italinë me synim Bashkimin Europian. “Kjo strategji është në vazhdim të programit të mbështetur nga qeveria ‘Berluskoni’ për një rrjet energjetik mesdhetar”, – ka deklaruar ministri italian Skajola. Marrëveshja e nënshkruar parashikon ngritjen e një grupi koordinues mes dy ministrive tona në funksion të zhvillimit të impianteve energjetike në kohë shumë të shkurtër.
Marrëveshjet
Firmosja e tri marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë dhe energjisë mes Shqipërisë dhe Italisë janë firmosur dje në Tiranë nga ministri shqiptar i Ekonomisë Genc Ruli dhe homologu i tij italian Klaudio Skajola, i cili shoqërohej në këtë vizitë nga një grup i madh investitorësh italianë. Marrëveshja synon realizimin e linjës nënujore të interkonjeksionit dhe gazsjellësit mes dy vendeve tona, e cila do të kalojë nëpër Adriatik. Ministri Ruli, në konferencën e organizuar me investitorët italianë, tha se rrjeti shqiptar bëhet kështu pjesë e sistemit rajonal të energjisë. “Realizimi i linjës së re 400 kilovolt Tiranë-Elbasan, si dhe ngritja e dispeçerisë së kontrollit janë ndër investimet më kryesore”, – deklaroi ministri i Energjetikës, Ruli. Ai shtoi më tej se, “në këtë kuadër, marrëveshja e nënshkruar sot në sektorin elektroenergjetik merr një rëndësi të veçantë për zhvillimin bashkëkohor të këtij sistemi”. Nga ana e tij, ministri Skajola u ndal në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe u shpreh interesimi i përbashkët për thellimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Korridori 8
Ministri italian i Ekonomisë, Skajola, gjatë një takimi me ministrin shqiptar të Transporteve Sokol Olldashi, garantoi mbështetjen e Italisë për Korridorin 8, si dhe bashkëpunimin mes postave të të dy vendeve për t’u mundësuar studentëve shqiptarë në Itali transferta parash drejt atdheut me koston e vetëm një sms-je. Ai vlerësoi disa prej zhvillimeve të ekonomisë shqiptare sipas standardeve të tregut të lirë, gjë që ilustrohet edhe nga prania e madhe e mjaft sipërmarrësve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj në vendin tonë, të cilët kanë investuar dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre në prodhimin e çimentos, tekstileve, mekanikës, si dhe shprehu besimin në ecurinë pozitive të mëtejshme ekonomike të vendit, duke u bazuar në resurset ekonomike, natyrore dhe njerëzore që Shqipëria disponon. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Genc Pollo, përfaqësues të biznesit elektroenergjetik të të dy shteteve etj.
Sektori i energjetikës, i rrezikuar nga ndryshimet klimatike
Sektori i energjetikës në Shqipëri është i rrezikuar nga ndryshimet klimatike. Banka Botërore ka organizuar një seminar për rreziqet klimatike dhe prekshmërinë e sektorit energjetik të Shqipërisë. Kjo ka si qëllim të ndihmojë në mbështetjen e zhvillimit të politikave dhe projekteve në Shqipëri, të cilat janë të qëndrueshme ndaj pasigurive klimatike. Sipas ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli, qeveria shqiptare ka programuar politika për mbrojtjen e vendit në rastet e ndryshimeve klimatike. Ky seminar sjell së bashku shumë nga grupet kyçe të përfshira në sektorin e energjisë në Shqipëri, duke përfshirë ministritë dhe agjencitë shtetërore, shërbimet publike dhe korporatat, kompani private, specialistë, konsulentë dhe ekspertë të sektorit të energjisë.
Komisioni i Ekonomisë voton blerjen e trojeve nga kompanitë
Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me votat e shumicës projektligjin e qeverisë që u jep të drejtën 100 shoqërive private me aksioner edhe shtetin të blejnë përfundimisht tokat që u janë dhënë në përdorim. Sipas draftit, bizneset do ta blejnë tokën që e kanë në përdorim me çmimet mesatare të përcaktuara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në hartën e çmimeve. Ligji parashikon se nëse shoqëritë nuk duan ta blejnë tokën, atëherë ajo do të shitet në ankand dhe të ardhurat e përfituara do të përdoren për të kompensuar ish-pronarët. Sipas listës së paraqitur nga Ministria e Ekonomisë, një pjesë e mirë e këtyre bizneseve që kanë në përdorim tokë shtetërore nuk kanë aktivitet dhe ndodhen në procese gjyqësore ose likuidim e sipër. Deputetët e opozitës kanë votuar ndërkohë kundër projektligjit.

















March 20th, 2009 at 4:41 pm
Tani keto tre marreveshje u firmosen,por dicka nuk kam kuptuar akoma une si eshte e mundur qe ne vitin 2009 ne shqiperi do te ndertohet akoma nje Tec me qymyr nuk mjaftuan ato qe ndertoi Enver Hoxha apo keta jane me standarte europiane????
Cfare shteti qe jemi ne….