Vetëm tre prej ministrave mbajnë pozicionet e tyre, ose ndërrojnë ministri
Në qeveri emra surprizë nga PD-ja, përveç atyre që do propozojë LSI-ja
Aleanca me LSI-në dhe formimi i parlamentit të ri do të shoqërohet në mënyrë të pashmangshme dhe me ndryshime në qeverinë “Berisha”. Burime nga Partia Demokratike shprehen se qeveria do të formatohet në më shumë se 80% të saj, çka do të thotë se shumë prej ministrave aktualë s’do të jenë më pjesë e qeverisjes. Dhe ky formatim nuk do bëhet vetëm në ata sektorë ku ka çaluar puna gjatë katër vjetëve, por dhe në sektorë ku Kryeministri jo në pak raste është mburrur me reformat apo arritjet atje. Gjithsesi, deri tani me të drejtë Berisha, pavarësisht se e ka krijuar tashmë një imazh se si do të jetë kabineti i ardhshëm, nuk ka bërë publik asnjë emër, pasi qeveria që të miratohet do dhe më shumë se një muaj, dhe kjo mund të sillte një shkrehje të punës në administratë.
Aleatët
Aleatët e PD-së janë të parët që do t’u duhet të lënë postet e tyre ministrore. Ministri i Mjedisit Lufter Xhuveli, i cili nuk arriti të merrte asnjë deputet në Parlament, duhet të lërë ministrinë e tij, e cila ka shumë gjasa të merret nga Fatmir Mediu, që tashmë aspiron të rikthehet sërish në postin e ministrit, pas më shumë se një viti që e ka lënë atë. Xhuvelit tashmë do t’i duhet të kënaqet me ndonjë post zëvendësministri ose drejtor drejtorie për ndonjë nga anëtarët e tij. Ndërsa PDI-ja, partia surprizë e këtyre zgjedhjeve, është treguar modeste në kërkesat e saj, duke kërkuar vetëm poste në rang drejtorësh, duke i lehtësuar kështu një barrë shumë të madhe kryeministrit, që numrin e ministrive e ka shumë të kufizuar.
Ministrat
Jemin Gjana – ministër i Bujqësisë, Sokol Olldashi – ministër i Transporteve, Gazmend Oketa – ministër i Drejtësisë, Ardian Turku – ministër i Turizmit, Enkelejd Alibeaj – ministër i Drejtësisë, Bujar Nishani – ministër i Brendshëm, Genc Ruli – ministër i Ekonomisë, Viktor Gumi – ministër i Punës janë emrat që mund të largohen përfundimisht nga kabineti qeveritar për t’u zëvendësuar nga të tjerë emra. I paprekshëm deri tani duket se është ministri i Financave Ridvan Bode, por dhe Majlinda Bregu, që pritet të ruajnë pozicionet që kanë. Sa për Lulëzim Bashën mendohet lëvizja e tij në një ministri tjetër të rëndësishme, por brenda kabinetit qeveritar. Zëvendëskryeministri Genc Pollo mendohet të ketë dhe një portofol ministri, por jo në ministri me peshë siç është, fjala vjen, Ministria e Arsimit.
Emra të tjerë pritet të afrohen në kabinetin qeveritar, siç janë Arben Imami, Gert Bogdani apo Jozefina Topalli, e cila përflitet se do lërë Kryesinë e Kuvendit. Përflitet se vendin e Topallit do ta kërkojë Ilir Meta, gjë që nga shumëkush cilësohet si një zgjidhje optimale, pasi dihet që Kuvendi dhe të qenit numër dy i shtetit jo vetëm plotësojnë deri diku egon politike të vetë Metës, por janë dhe pjesë e rëndësishme e integrimit. Gjithsesi, këta janë vetëm zëra që qarkullojnë në mjediset e Partisë Demokratike, pasi dihet që Kryeministri Berisha në vendosjet e tij është njeri i paparashikueshëm. Gjithsesi, paparashikueshmëria e Berishës vlen vetëm për emërimet, ndërsa për sa i përket shkarkimeve tashmë është e sigurt se më shumë se 80% e kabinetit të tij do të zëvendësohet, ndërsa ministrat që kanë mbajtur për më shumë se katër vjet pozicionet e tyre apo ata që në qarqet ku kandiduan dhanë rezultate të dobëta (rasti i Olldashit, për shembull), duhet të kënaqen me karrigen e deputetit.
Kuvendi i ri, mbledhja e parë në shtator
Fillimi i muajit shtator do të shënojë mbledhjen e Kuvendit të ri të Shqipërisë, që do të dalë pas certifikimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i rezultatit të zgjedhjeve që u zhvilluan më 28 qershor. Kuvendi i ri i Republikës së Shqipërisë që do të dalë nga këto zgjedhje, përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, neni 67 i saj, Presidenti i Republikës e mbledh kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Mandati i Kuvendit që është në fund të legjislaturës së tij, i përfundon mandati më 2 shtator të këtij viti, ditë kur ai ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë pas zgjedhjeve të 3 korrikut të vitit 2005. Është pikërisht Kushtetuta e Shqipërisë ajo që bën përcaktimin e kohës së nisjes dhe përfundimit të mandatit të një Kuvendi. “Kuvendi zgjidhet për 4 vjet. Mandati i tij fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur”, – thuhet në nenin 65.
Dekretimi i qeverisë nga Presidenti
Presidenti i Republikës në fillim të legjislaturës, sipas nenit 96 të Kushtetutës, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Kryetari i ri i qeverisë i emëruar sipas ligjit themeltar të Republikës së Shqipërisë i paraqet për miratim Kuvendit brenda 10 ditëve programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, përbërja e qeverisë votohet e plotë dhe jo e ndarë. Pra, si ministrat, ashtu dhe kryeministri do të votohen në të njëjtën seancë, ku secili duhet të marrë shumicën e votave nga Kuvendi që të miratohen. Konkretisht afatet e propozimit, emërimit dhe votimit të ministrave përcaktohet në nenin 98 të Kushtetutës, sipas së cilës, “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”. Para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat do të betohen para Presidentit të Republikës, sipas formulës së betimit për respektim të ligjit dhe kryerjes së detyrës me profesionalizëm.
Qetësia postelektorale
Bisedimet me aleatët nga mesi i gushtit
Bisedimet për qeverinë e re me LSI-në, PR-në dhe PDI-në pritet të fillojnë në 10-ditëshin e dytë të gushtit. Nga ana e tyre si Meta, ashtu dhe Berisha deri tani kanë pasur kontakte të pakta, ku është biseduar vetëm në parim për shkrirjen e programit si dhe kushtet e LSI-së, që Berisha s’ka gjetur arsye të mos i pranojë. Pjesa më e vështirë dihet se janë negociatat për ndarjen e pushtetit, dhe në këtë pikë LSI-ja, nga sa shihet situata, do të kërkojë shumë. Katër mandatet e kësaj force politike në ndarjen që ka parlamenti i sotëm vlejnë shumë dhe s’është çudi që të gjitha të përkthehen në poste ministrore dhe maja të larta të pushtetit. Deri më tani interesi i LSI-së është shfaqur te Ministria e Turizmit, por nuk përjashtohen që në kërkesat e saj të jenë dhe Shëndetësia apo Transportet. Gjithsesi, të dyja palët kanë menduar se është më mirë të rrinë ca kohë qetësi, derisa të mbarojë dhe certifikimi i zgjedhjeve. Kjo do të jetë kohë kur Kryeministri Berisha do të thërrasë për bisedime dhe Mediun, i cili për kushtet në të cilat ndodhet ka kërkesa modeste. Burime në PD shprehen se për Mediun mund të rezervohet Ministria e Mjedisit dhe PR-ja nga ana e saj është e detyruar të lëshojë Ministrinë e Shëndetësisë. Mbetet ende e paqartë nëse Mediu për këtë post do të propozojë emrin e tij apo ndonjë nga anëtarët e kryesisë së partisë. Sa për PDI-në, duket se kjo ka qenë nga zgjedhjet më të mira të kryeministrit për të bërë koalicion. Kjo forcë politike megjithëse mori një mandat deputeti, sërish ka rezervuar kërkesat e saj për drejtorë drejtorish, duke mos pretenduar kabinetin qeveritar.
















