Politika fiskale 2009-2011

Posted on 31 March 2009 by admin

Rriten akcizat, ulen tarifat doganore, TVSH-ja e pandryshuar. Strategjia e re në buxhetin afatmesëm për “taksa më të buta”

Qeveria ka përcaktuar strategjinë e re fiskale për taksat dhe tatimet në tre vitet e ardhshme. Kjo duket disi absurde, pasi vendi po shkon në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku pas tyre, pavarësisht nga fituesit, politika e taksave do të ndryshojë. Por duket se ekspertëve të Ministrisë së Financave nuk i kanë interesuar këto çështje kur kanë hartuar strategjinë për tre vitet në vazhdim, e cila tashmë mësohet të jetë gati. Sipas projektbuxhetit afatmesëm 2009-2011, që është hartuar në Ministrinë e Financave, këtë vit dhe dy vitet në vazhdim do të ketë ndryshime në tatime dhe taksa. Kështu, do të ketë rishikim të akcizës me tendencë rritje për mallrat e forta (mallrat e luksit), si dhe do të ketë ulje të kontributit të sigurimeve shoqërore. Gjithashtu reforma në taksat nacionale do të vijojë në vitet në vazhdim (2010-2011), në kuadër të decentralizimit të pushtetit lokal, ku disa taksa me natyrë nacionale do t’i kalojnë për administrim pushtetit lokal. Në programin qeveritar mësohet gjithashtu se përsa i përket TVSH-së, ajo synohet të mbahet konstante, por nuk përjashtohet një rishikim i saj në kuadër të programit të qeverisë. Për shkak të liberalizimit të plotë të tarifave doganore me vendet e rajonit, gjatë viteve në vazhdim do të ketë një reduktim të ndjeshëm të tarifave doganore e për pasojë edhe një rënie e të ardhurave doganore në buxhetin e shtetit në tre vitet në vijim.

Qëllimi i reformës

Reforma fiskale, e cila do të shtrihet në tre vitet e ardhshme, ka si synim të sajin shmangien e kontakteve inspektor tatimor – tatimpagues. “Taksa më të buta” është filozofia me të cilën qeveria është duke bërë politika jo vetëm për të lehtësuar barrën fiskale, por edhe për të nxitur investimet e huaja dhe punësimin. Burimet zyrtare nga Ministria e Financave njoftojnë se politikat fiskale do të shoqërohen me përmirësime të ndjeshme administrative në mbledhjen e këtyre taksave, sidomos në përmirësimet administrative tatimore, të cilat do të konsistojnë në riorganizimin e sistemit të administratës, si dhe në rritjen e performancës në drejtim të shërbimit ndaj taksapaguesit. “Niveli historik i tatimeve dhe taksave në Shqipëri, nëse i mbledhim një për një dhe i zbatojmë në mënyrë korrekte, do të bënte që në buxhetin e shtetit të vileshin 42 deri në 45 për qind të ardhura fiskale në raport me PBB-në (Prodhimin e Brendshëm Bruto)”,- pohojnë ekspertët në Ministrinë e Financave.

Parashikimi për të ardhurat

Parashikimi për të ardhurat nga tatimet dhe doganat, si zëri kryesor i të ardhurave të buxhetit të shtetit, për periudhën 2009-2011 do të karakterizohet nga një rritje me ritme të kënaqshme, nga 18.5 për qind e PPB-së në vitin 2009, në 18.9 për qind e PPB-së në vitin 2011, ose nga 217.930 miliardë lekë në vitin 2009, në 268.1 miliardë lekë në vitin 2011. Zërat kryesorë kontribuues do të jenë të ardhurat nga TVSH-ja dhe të ardhurat nga akcizat. Në të vërtetë, realiteti dëshmon një tjetër situatë. Ne vjelim vetëm pak më shumë se 20 për qind të ardhura fiskale në raport me PBB-në, ose sa gjysma e mesatares që vilet në vendet e rajonit. “Ne kërkojmë që gradualisht të bëjmë këtë përputhje, duke ecur në të dyja kahet; duke zbutur ngarkesën ligjore teorike fiskale dhe duke bërë ndryshime thelbësore në administrimin e taksave”, – ka thënë zëvendësministri i Financave, Florian Mima.

Strategjia e re për taksat, ja ndryshimet e parashikuara nga Financat

1. Mbajtja konstante e normës së TVSH-së për shumë kohë (subjekt rishikimi në përputhje me programin e qeverisë).

2. Rishikimi i taksave nacionale në nivelet e tyre dhe në kuadër të reformës së decentralizmit fiskal.

3. Rishikimi i nivelit të akcizës së mallrave të forta në përputhje me nivelin e akcizës sipas sistemit tatimor të vendeve të BE-së.

4. Ulja e të ardhurave nga taksa doganore si rezultat i zbatimit të angazhimeve tarifore në Marrëveshjen e Ndërmjetme BE-Shqipëri, CEFTA, MTL dhe me Turqinë.

5. Norma e kontributit për sigurime shoqërore ulet në fillim në 6-mujorin e parë të vitit 2009.

Share and Enjoy:
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • MySpace
  • Reddit
  • Technorati
  • Yahoo! Buzz
  • LinkedIn
  • BlinkList
  • Propeller
  • Twitter
  • Google Bookmarks

1 Comments For This Post

  1. elton Says:

    Pershendetje! do te doja te dija ,a eshte e mundur te cdoganoj dhe ti vendos targat nje mjeti me krah anglez dmth e ardhur nga anglia .kam degjuar se nuk behet me cdoganimi i ketyre mjeteve.une do kthehem te jetoj ne shqiperi dhe dua te marr me vete makinen qe kam perdorur ne uk.

    ju faleminderit

    me respekt Elton.H

Leave a Reply

Advertise Here
Advertise Here