Qeveria shqiptare vendosi të shpallë ankand për trojet që ndodhen në qendër të kryeqytetit.
Kryeministri, Sali Berisha tha në mbledhjen e të mërkurës të qeverise se prej shitjes së tokës mes rrugës së Kavajës dhe rrugës së Durrësit duke përfshirë dhe Dhomën e Tregtisë do të përfitohet një shumë prej afro 112 milion euro e cila, sipas tij, do të kalojë e tëra për ish pronarët.
Kjo tokë ishte sheshi i përplasjes në fundjavë mes policisë së shtetit dhe policisë bashkiake.
Për qeverinë shqiptare kjo tokë është pronë shteti pasi, sipas Berishës, ish mbreti Zog e ka shpronësuar duke shpërblyer familjet pronare.
“Kjo tokë do të dalë në ankand dhe të gjitha të ardhurat do të shkojnë për ish pronarët ndërsa falsifikatorët dhe ata që i mbrojnë ata do të marrin atë që meritojnë”, tha Berisha.
Por Bashkia e Tiranës, përmes nënkryetarit Eduard Shalësi, deputet i PS-së, thotë se toka ka pronarë të dokumentuar të cilët kanë nënshkruar një kontratë për nisjen e një ndërtimi shumëkatësh në përputhje me planin urbanistik të kryeqytetit.
Shalësi se Berisha po nxit konfliktin në qendër të Tiranës. “Ne e kemi provuar me dokumente pronësinë. Berisha po kërkon të tjetërsojë pronën për interesa të tij. Rasti i Qendrës së Tiranës nuk është i veçuar”, tha Shalësi.
Probleme që lidhen me pronësinë e tokës janë vërejtur kohët e fundit edhe ne disa zona të tjera të vendit.
















