Më datë 18 shtator, në ambientet e Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet ankandi i radhës për shitjen e bonove të thesarit. Burime nga Departamenti i Politikave Monetare pranë kësaj banke bëjnë të ditur se në shitje do të nxirren bono thesari me maturim 6-mujore dhe 12-mujore kundrejt një vlere të përgjithshme prej 12.1 miliardë lekësh. Bonot e thesarit dhe obligacionet janë instrumente borxhi, nëpërmjet të cilave qeveria merr hua nga publiku dhe siguron të ardhurat e nevojshme për të financuar shpenzimet që nuk i mbulon dot nga të ardhurat. Aktualisht, qeveria shqiptare emeton dy lloje letrash me vlerë: bono thesari dhe obligacione. Bonot e thesarit tregtohen për periudha 3, 6 dhe 12-mujore, ndërsa obligacionet kanë periudha maturimi më të gjata 2, 3 dhe 5-vjeçare. Rritja e vazhdueshme e interesave të bonove të thesarit dhe obligacioneve kohët e fundit paraqitet si një mundësi e re edhe për individët. Investimi në bono thesari 1-vjeçare, 6-mujore apo 3-mujore për individët sjell interesa në disa raste dy herë më të larta se depozitat e vendosura në pjesën më të madhe të bankave të nivelit të dytë. Duke qenë se janë detyrim i drejtpërdrejtë i Qeverisë, ato njihen si letra me vlerë me rrezik zero. Bonot emetohen në monedhë kombëtare lekë dhe shiten nëpërmjet ankandeve të organizuara nga BSH-ja. Në ankandin për bono thesari mund të marrë pjesë çdo individ, biznes apo bankë.
















