Komisioni Europian publikoi raportin monitorues në kuadër të regjimit të vizave. Pikat e vlerësimit të misionit të ekspertëve, që ishin në Tiranë disa javë më parë
Komisioni Europian ka prerë ëndrrat e shqiptarëve për të lëvizur pa viza në shtetet anëtare të BE-së për shkak të mosrealizimit të reformave. Dje është dorëzuar zyrtarisht te qeveria e Tiranës raporti i vlerësimit, i përgatitur nga grupi monitorues që ishte para pak kohësh në vendin tonë. Në katër fushat kryesore; siguria e dokumenteve të identitetit, rendi dhe siguria publike, menaxhimi i kufijve dhe emigracioni, si dhe të drejtat e minoriteteve, qeveria “Berisha” nuk ka arritur që t’i bindë ekspertët e Komisionit Europian. Në secilën prej tyre vendi ynë vlerësohet se “nuk ka realizuar plotësisht kushtet sipas udhëzuesit (roadmap) për liberalizimin e vizave. Vendimi negativ i BE-së për maxhorancën aktuale vjen pikërisht në momentin kur zoti Berisha dhe ministri i Jashtëm kanë deklaruar publikisht, në prag të fushatës zgjedhore, se në fillimin e vitit 2010 shqiptarët do të mund të lëvizin drejt zonës “Shengen” pa pasur nevojë për vizë.
Monitorimi
Megjithëse qeveria shqiptare ka nisur prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të identitetit, ky proces nuk ka marrë vlerësime për shkak të vonesave në fillimin e tij. Ekipi monitorues ka përmendur vetëm shpërndarjen e 270 mijë kartave të identitetit dhe 4975 pasaportave biometrike deri më datë 7 maj. Sipas raportuesve, shpërndarja e pasaportave të reja do të nisë në shkallë të gjerë vetëm pas zgjedhjeve. Ekspertët e Brukselit pohojnë se duhet të krijohen struktura ligjore dhe të nxitet nxjerrja jashtë përdorimit e pasaportave të vjetra dhe marrja e dokumenteve të reja nga qytetarët. Në vlerësimin e fundit për menaxhimin e kufijve thuhet se duhet të garantohet zbatimi efektiv i Ligjit të Kontrollit dhe Menaxhimit të Kufirit Shtetëror. Sipas tij, edhe Strategjia Kombëtare për Emigracionin nuk është efektive përsa u përket çështjeve të menaxhimit të kufijve. Në raport theksohet domosdoshmëria e bashkëpunimit mes institucioneve dhe agjencive të ndryshme që operojnë në këtë sektor. Vendosja e sistemeve të vëzhgimit në pikat kufitare, pajisja e patrullave me mjete moderne për kryerjen e shërbimit, sidomos në kufijtë detarë dhe liqenorë, janë disa ndër mangësitë e konstatuara. Në lidhje me azilimin, hapat e ndërmarrë nga qeveria janë vlerësuar pozitivisht, ndonëse numri i personave që kanë marrë strehim në vendin tonë është shumë i vogël, (15 të tillë) krahasuar me kapacitetin prej 120 personash që ka qendra në Babrru. Edhe për menaxhimin e migracionit ka vlerësime pozitive.
Rendi publik dhe siguria
“Zbatimi i strategjive kryesore mbetet sfidë dhe mbi të gjitha plani i veprimit që ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar, strategjia pastrimit të parave dhe plani i veprimit që nuk ka nisur ende zbatimin”, – thotë raporti. Sipas tij, veprimet policore janë reaguese dhe fragmentare, por pajisjet inteligjente antikrim mbeten të dobëta. Edhe bashkëpunimi i agjencive është jo i plotë, ndërsa kapacitetet investiguese janë pengesë për zbatimin efektiv të ligjit. Ekspertët pohojnë se duhet të forcohet edhe bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar. Ndër mangësitë e konstatuara është edhe mungesa e të dhënave të qarta në lidhje me përdorimin e teknikave speciale të investigimit dhe rezultateve të arritura. Përfundimisht, raporti thotë se “Shqipëria ka bërë përparime në sektorin e rendit publik dhe sigurisë, por nuk ka plotësuar akoma të gjitha kushtet e këtij kapitulli”.
Standardi i realizuar
Ndër pikat e realizuara në kuadër të udhëzimeve për liberalizimin e vizave është vetëm zbatimi i të drejtave themelore të njeriut. “Shqipëria ka ecur në rrugë të drejt në realizimin e kushteve të këtij kapitulli”, – thotë raporti i vlerësimit. Por, ai thekson se Parlamenti duhet të miratojë një ligj të veçantë për mbrojtjen nga diskriminimi. Sipas ekspertëve, nuk ka raste të regjistruara apo të raportuara të diskriminimit. Po ashtu, nuk ka raste të dhunës shtetërore, që realizohet mbi motivet etnike.
Vlerësimi më i fundit i Komisionit Europian për reformat në katër drejtimet kryesore ka ndëshkuar qeverinë e Tiranës, e cila ndodhet në prag të fushatës dhe shpreson për një mandat të dytë, duke iu premtuar shqiptarëve lëvizje të lirë në Europë.
SISTEMI i VLERËSIMIT PËR SHTETET E RAJONIT
Maqedonia realizon kushtet 1 pikë
Mali i Zi realizon shumicën e kushteve 1.75 pikë
Serbia realizon shumicën e kushteve 1.75 pikë
Shqipëria nuk realizon kushtet 3 pikë
Bosnja nuk realizon kushtet 3 pikë
Kosova nuk është e përfshirë në monitorim
















