Kufiri me Greqine dhe gazsjellësi

Posted on 13 October 2009 by admin

Midis çështjeve të shumta që janë diskutuar e vazhdojnë të diskutohen te ne lidhur me fqinjin tonë jugor, këta muajt e fundit doli në dritë edhe një problem tjetër, që për politikën aktuale shqiptare u konsiderua si një problem thjesht teknik, zgjidhja e të cilit kërkon vetëm përdorimin e kompasit. Por, a është thjesht punë kompasesh marrëveshja ende e paratifikuar nga Kuvendi Popullor?! Ato pak zëra kundër, që u dëgjuan lidhur me të, e trajtuan Marrëveshjen vetëm në pikëpamjen territoriale dhe patriotike, ndonëse me shumë të drejtë. Por, ka dhe diçka tjetër që duhet thënë lidhur me këtë rajon ujor që shtrihet midis Korfuzit dhe bregut shqiptar apo Rivierës shqiptare, siç na pëlqen që ta quajmë.

Zoti Karamanlis mbërriti në Tiranë më 29 prill të vitit 2009, menjëherë mbas vizitës që pati në Sofje të Bullgarisë më datë 27 prill të këtij viti. Midis të tjerash, atje patjetër kanë diskutuar dhe gjëra për të cilat do të merrnin vendime të rëndësishme disa kohë më vonë, dhe konkretisht në datën 16 maj të vitit 2009 në Soçi të Rusisë.
Po çfarë ndodhi në Soçi? Në Soçi u morën vendime shumë të rëndësishme lidhur me të ardhmen energjetike të Europës. “Gazprom”-i rus nënshkroi një paketë dokumentesh për realizimin e gazsjellësit “South Stream”, me holldingun bullgar të energjisë, me kompaninë greke “DESFA” dhe me kompaninë serbe “Serbijagaz”, për bashkëpunim në ndërtimin e tubacioneve për transit të gazit nëpër territoret e Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë dhe më pas, me destinacion Europën Perëndimore.

Një ditë para nënshkrimit të marrëveshjeve të mësipërme, në takimin Putin – Berluskoni, kompania italiane “Eni” arriti marrëveshje për rritjen e kapacitetit përcjellës të “South Stream” nga 31 në 63 miliardë metra kub gaz në vit. Gjithë kjo sasi gazi do të kalojë nga Greqia për në Itali; sigurisht me një tubacion nënujor që patjetër kalon midis Korfuzit dhe bregdetit shqiptar. Me sa duket, kjo është dhe arsyeja e ngutjes greke për sanksionimin e kufirit detar midis nesh. Një ngutje që nuk ka se si të mos na sjellë në mendje zvarritjet e problemeve që rrinë pezull prej shumë kohësh midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Këtu dalin edhe disa pyetje, për të cilat specialistët tanë të fushave duhet të na japin përgjigje!
1. Ky tubacion gazi që do të furnizojë me gaz gjysmën e Europës, a ka ndonjë ndikim negativ në ambientin e bregdetit tonë jugor, në të cilin ne po investojmë për turizëm djersën dhe mundin e shumë viteve pune dhe emigracioni?
2. Ky tubacion, si pozicionohet me kufirin tonë detar të vjetër dhe me atë të ri? Do të jetë brenda, apo jashtë, sa afër ujërave tona territoriale?
3. A ka përfitime financiare apo të ndonjë natyre tjetër Shqipëria nga ky projekt që mundohet të na nxjerrë jashtë skemave të furnizimit me gaz? Kemi apo s’kemi pozicion strategjik?
Për të pasur një ide se çfarë përfitimesh do të kenë vendet e tjera që do të jenë pjesë e këtij transitimi po japim disa të dhëna të vogla. Turqia i kërkon Rusisë për këtë gazsjellës që do kalojë në Shelfin e saj verior, në Detin e Zi, ndërtimin, nga pala ruse, e një centrali bërthamor me tre reaktorë të një fuqie të madhe dhe një degëzim të gazsjellësit që ta përshkojë Turqinë Qendrore nga veriu në jug e të dalë në Detin Mesdhe, për të vazhduar drejt Izraelit. Jo pak, por Rusët janë gati që ta bëjnë këtë.
Bullgaria, përveç përfitimeve të tjera, vetëm taksë vjetore transiti do të përfitojë rreth 30 milionë dollarë në vit.
Në Bullgari, ky gazsjellës degëzohet në dy degë; njëra degë merr Veriun, nëpër Serbi, – drejt Europës Qendrore, kurse tjetra në Jug, – drejt Greqisë. Gazsjellësi në fjalë u shërben interesave ruse për politikën e tyre energjetike. Ai është konkurrent i “Nabuço”-s, që është varianti perëndimor, i mbështetur fuqishëm edhe nga SHBA, për furnizimin me gaz të Europës nga Azia Qendrore, Azerbajxhani, Irani dhe Katari.
Rivaliteti është mjaft i ashpër. Nga fundi i muajit maj të këtij viti Beogradin e vizitoi dhe zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, i cili u bëri serbëve shumë premtime, por edhe presion në të njëjtën kohë. Vizita e tij ishte koordinuar, jo rastësisht, me takimin e 57-të të Bilderbergëve, që u mbajt në rrethinat e Athinës në Viljameni. Bilderbergët përfaqësojnë një klub të themeluar në vitin 1954, me iniciativën e familjes mbretërore holandeze, që është dhe pronare e koncernit më të madh të naftës “Royal Dutch Shell”. Ky klub kishte si qëllim fiksimin e pozicioneve të elitës së Europës dhe asaj të SHBA-ve, kurse sot punon me intensitet për Rendin e Ri Botëror.
Në takim ndodheshin 120-150 liderë të politikës botërore, anëtarë të familjeve mbretërore, klerikë, bankierë dhe manjatë të mediave. Ndodheshin aty edhe dy ish-presidentët Bush, atë e bir, sekretari amerikan i Financave, Timoti Gajtner, bankierët Zelik dhe Volfovic, Riçard Hollbruk, mbretëresha e Spanjës, ajo e Holandës etj. Veç problemeve të tjera që shqetësojnë aktualisht botën, në takim u diskutuan dhe planet energjetike ruse për Ballkanin, përfshirë këtu dhe “South Stream”. Atje u vendos t’i bëhet presion Serbisë që të heqë dorë nga nënshkrimi i marrëveshjes me “Gazprom”-in duke iu përmendur atyre se veç problemit të Kosovës, atyre mund t’u hapen probleme edhe me Vojvodinën e hungarezët që jetojnë atje. Gazsjellësi mendohet të kalojë pikërisht nëpër këtë rajon fushor drejt Hungarisë. Besoj se këto gjëra dihen nga ata shqiptarë që merren me politikë dhe që kanë mandat për të përfaqësuar interesat e këtij vendi.
Prandaj dhe përcaktimi i kufirit ujor nuk është një çështje që zgjidhet thjesht me kompas. Ky problem nuk u duhet besuar vetëm atyre që dinë të përdorin kompasin!

Share and Enjoy:
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • MySpace
  • Reddit
  • Technorati
  • Yahoo! Buzz
  • LinkedIn
  • BlinkList
  • Propeller
  • Twitter
  • Google Bookmarks

Leave a Reply

Advertise Here
Advertise Here