Archive | Investime

Tags:

Shqipëria rekord për investimet e huaja

Posted on 25 September 2009 by admin

Kombet e Bashkuara prezantojnë Raportin Botëror të Investimeve 2009

Ndër gjithë ekonomitë në tranzicion, Shqipëria mban rekord për thithjen e investimeve të huaja. Ky është përfundimi i Raportit Botëror të Investimeve 2009, i prezantuar nga Kombet e Bashkuara në Shqipëri. Raporti, i përgatitur çdo vit nga Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), këtë vit fokusohet te tendencat e investimeve të huaja, para dhe gjatë krizës ekonomike, gjithashtu edhe mbi rolin e rëndësishëm që këto investime mund të kenë në rritjen e prodhimit bujqësor. Ekspertët që kanë marrë në analizë shifrat vlerësojnë se rritja domethënëse e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, sikurse në vendet e tjera në rajon, bazohet kryesisht në “privatizimin e kompanive të mëdha që më parë ishin në pronësi të shtetit dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit”. Sfida më e rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e rajonit është e ardhmja e këtyre privatizimeve në rritjen e vendeve të punës dhe performancës së vendit.

Raporti

Raporti u bë publik nga zyra e Koordinatores së Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. “Në Evropën Juglindore, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë pasur një zhvillim pozitiv sa i përket investimeve të huaja direkte vetëm në vitin 2008 përkundrejt vitit 2007. Krahasuar me ekonomitë në tranzicion në mbarë botën, Shqipëria mban rekord, pas Armenisë, në rritjen e IHD-së në vitin 2008, duke shënuar 45 për qind rritje në investimet e huaja direkte”,- theksohet në raport. Rrjedha e investimeve të huaja direkte është prekur rëndë në mbarë botën nga kriza ekonomike, sipas tij. Rrjedha e investimeve vazhdon të bjerë përgjatë gjithë rajoneve, nga niveli më i lartë, 2 trilionë dollarë në vitin 2007, në 1.7 trilionë në vitin 2008, në 1.2 trilionë në vitin 2009. Pritet një rigjenerim i ngadaltë në vitin 2010 me një arritje maksimale në vitin 2011. Kriza ka ndryshuar tablonë e investimeve: në vitin 2008, ekonomitë në zhvillim dhe në tranzicion rritën aksionet e tyre në rrjedhat botërore të investimeve me 43 për qind, ndërkohë që investimet në vendet e zhvilluara dhe nga këto vende pësuan rënie. “Reformat e fundit të qeverisë, si privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, synuan tërheqjen e investimeve të huaja dhe kanë ndihmuar Shqipërinë të arrijë një nivel të lartë të shifrave të IHD-së në vitin 2008”, – është shprehur Gulden Turkoz-Cosslett, koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe përfaqësuesja e përhershme e PNUD-it.

Sfidat

Koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe përfaqësuesja e përhershme e PNUD-it ka bërë të ditur se sfida përpara ka të bëjë me mbajtjen e një niveli të qëndrueshëm rritjeje të IHD-së me anë të politikave të drejta dhe krijimit të një mjedisi të përshtatshëm. “Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeverinë në përpjekjet e saj për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për rritjen e qëndrueshme të IHD-së në vend”, – tha ajo.

Bilanci i pagesave

Sipas Bankës së Shqipërisë, bilanci i përgjithshëm i pagesave për tremujorin e dytë të 2009-s rezultoi në rritje të mjeteve valutore me 142 milionë euro. Tremujori i dytë u mbyll me një deficit të llogarisë korente prej 360 milionë eurosh. Në krahasim me tremujorin e dytë të 2008-s, deficiti u zvogëlua me rreth 3 milionë euro, nga 363 milionë euro. Flukset hyrëse të kapitalit regjistruan vlerën 434 milionë euro, duke tejkaluar dhe financuar plotësisht deficitin korent.

Comments (0)

Tags:

Porti i jahteve në Durrës fiton oferta 9.6 milionë euro

Posted on 24 June 2009 by admin

Ministria e Transporteve zhvillon tenderin. Projekti në gjirin e Lalëzit

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ka zhvilluar tenderin për “Dhënien me Koncesion të Portit të Jahteve në Gjirin e Lalëzit”, Kepi i Rodonit, Durrës. Burime zyrtare pranë ministrisë bëjnë me dije se, për këtë projekt koncesionar, u paraqit vetëm një ofertues në formën e një bashkimi të tri shoqërive. Projekti është iniciuar nga shoqëria “Ener-Alb Projects”, duke përfituar, sipas ligjit të koncesioneve dhe bonusin prej 8.2 për qind të pikëve. “Oferta e dorëzuar do të vlerësohet bazuar në kriteret e përzgjedhura të përcaktuara në dokumentacionin standard të kësaj procedure, të njohur nga subjekti konkurrues, sqaron Ministria e Transporteve. Porti i jahteve në gjirin e Lalëzit bëhet i dyti në rang vendi, pasi atij të Orikumit në Vlorë.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të përfundojë vlerësimin e ofertës së paraqitur brenda afateve dhe autoriteti do të ndjekë procedurat e parashikuara konform ligjit në fuqi. Për këtë projekt, të tri shoqëritë së bashku kanë ofruar një vlerë investimi prej 9,6 milionë euro ose 1,257,696,000 lekë. Zona ku do të ndërtohet porti vlerësohet shumë për nxitjen e turizmit, nisur dhe nga fakti se sapo ka përfunduar dhe rruga që të çon në plazhin e gjirit të Lalëzit. Ideja për ndërtimin e portit të jahteve në një zonë në afërsi të Durrësit, si dhe zhvillimi i disa fshatrave turistikë ka rritur dyfish çmimin e tokës në plazhin e shtrirë në gjirin e Lalëzit. Sipas të dhënave nga agjentët, çmimet e trojeve aty luhaten nga 100-200 euro për metër katror, nga 50 euro për metër katror që ishte çmimi minimal në këtë zonë vetëm pak muaj më parë.

Koncesioni për të ndërtuar dhe përdorur portin e jahteve do të ketë një afat prej 32 vjetësh. Porti parashikohet të jetë gati pas më pak se tre vjetësh, ndërsa për ankorimin e anijeve tarifat variojnë nga 2 deri në 250 dollarë për metër linear.

Comments (0)

Tags:

Korridori 8, Shkupi nis projektin për ndërtimin e hekurudhës drejt Shqipërisë

Posted on 12 May 2009 by admin

Ndërtimi i hekurudhës do ti kushtojë Maqedonisë 354 milion euro. Sipas projektit, hekurudha duhet të përfundojë deri në vitin 2015

Investimet e parashikuara për tu dhënë nga Bashkimi Europian për ndërtimin e Korridorit 8, si një arterje e rëndësishme që do t’i sjell zhvillim Europës, ka vënë në lëvizje fqinjin tonë lindor. Maqedonia është e para që ka nisur angazhimet serioze për të përfituar nga fondet e mëdha që do të jepen nga Brukseli, për ndërtimin e kësaj vepre. Si fillim qeveria maqedonase do të fillojë hartimin e studimit për ndërtimin e hekurudhës së Korridorit 8 që kalon në territorin e saj duke vijuar që nga Shqipëria. Edhe pse ka një kosto më të madhe në ndërtimin e kësaj linje të hekurt, Maqedonia duket se është e vendosur ta bëjë e para lidhjen me hekurudhën që vjen nga Shqipëria. Për këtë qilim autoritet maqedonase të transportit dhe hekurudhave kanë nisur punën fillimisht për bërjen e studimit i cili mësohet se do të përgatitet nga kompania bullgare “Evrotrans”, e cila të premten nënshkroi marrëveshjen me menaxhmentin e Hekurudhave të Maqedonisë. Nga sa mësohet nga agjencitë e vendit fqinj, “në ë bazë të marrëveshjes, Hekurudhat e Maqedonisë do t’i paguaj kompanisë bullgare rreth 840 mijë euro për hartimin e projektit”. Sipas projektit, hekurudha duhet të përfundojë deri në vitin 2015, ndërsa tërë projekti kushton 354 milion euro. Ndërkohë më e prapambetura në këtë projekt mbetet Shqipëria, e cila edhe pse duhet të ndërtojë vetëm 2.8 km trase deri në kufirin me Maqedoninë, akoma nuk ka nisur të shtrojë asnjë metër transe.

Lidhja hekurudhore

Lidhja hekurudhore me Maqedoninë e bën Shqipërinë që shumë shpejt të ketë edhe një dalje të dytë ndërkombëtare hekurudhore, por kësaj here në atë të Korridorit 8. Pala shqiptare e ka lehtësisht të mundur përfundimin e projektit për të lidhur vendin tonë me fqinjin maqedonas përmes linjës që do të bëhet rishtazi Lin-kufiri me Maqedoninë. Në ndryshim me detyrimet si dhe nevojën e investimeve që lipsen për palën maqedonase, gjatësia nga Lini deri në kufi me Maqedoninë është shumë e vogël. Ajo shtrihet në vetëm 2.8 km trase hekurudhore deri në kufi. Kjo është pjesa që i duhen vendit tonë për të përmbushur një nga detyrimet kryesore për investimet në gjurmët e Korridorit 8. Pas lajmit të mirë se Korridori i 8-të përfshihet në projektin e Bashkimit Evropian për transportin, Shqipëria po bën gati dhe studimin e fizibilitetit për hekurudhat. Projekti parashikon tri linja hekurudhore, të cilat do të lidhin vendin tonë me vendet e tjera ku kalon ky korridor. Projekti parashikon ndërtimin e linjës së re hekurudhore për të lidhur stacionin hekurudhor të Linit me qytetin e Strugës (Maqedoni), linjën nga Porti detar i Durrësit deri në Pogradec, si dhe linjën Vlorë-Rrogozhinë, edhe ky segment i hekurudhës së Korridorit 8. Sekretariati i Korridorit të 8-të, i cili është me qendër në Bari (Itali), ka iniciuar kryerjen e studimit të fizibilitetit për linjat hekurudhore që mungojnë në këtë korridor. Sipas këtij studimi, rrjeti jonë hekurudhor do të bëhet një rrjet tranzit. BE-ja do të jetë financuesi kryesor i Korridorit 8, ndërsa për projektet e rrjetit rrugor do të kontribuojnë edhe vendet përfituese nga ky korridor. Nga MPPTT-ja mësohet se, për rrjetin hekurudhor financimet do të mundësohen direkt nga Brukseli. “Në këtë mënyrë, parametrat hekurudhorë shqiptarë do të bëhen bashkëkohore dhe rrjeti ynë hekurudhor do të integrohet me rrjetin evropian dhe atë ballkanik.

Comments (0)

Tags:

Shqipëri-Itali, nënshkruhen tri marrëveshje për rrjete të përbashkëta gazi dhe energjie

Posted on 11 March 2009 by admin

Shqipëria dhe Italia u hapin rrugën investimeve të mëtejshme të prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike. Në Tiranë, të dy ministrat e Ekonomisë, ai shqiptar Genc Ruli dhe homologu i tij italian Klaudio Skajola, nënshkruan tri marrëveshje për integrimin e sistemit të gazit dhe atij energjetik, me vlerë 60 milionë euro. Ministri Skajola tha se pas 40 viteve të ardhshme, nevojat e planetit për energji do të rriten me 2,5 herë, prandaj duhet prodhuar më shumë energji, por pa dëmtuar mjedisin. Sipas tij, Italia e konsideron Shqipërinë si një partner strategjik në Ballkan në planin energjetik, për krijimin e interkonjeksionit me Italinë me synim Bashkimin Europian. “Kjo strategji është në vazhdim të programit të mbështetur nga qeveria ‘Berluskoni’ për një rrjet energjetik mesdhetar”, – ka deklaruar ministri italian Skajola. Marrëveshja e nënshkruar parashikon ngritjen e një grupi koordinues mes dy ministrive tona në funksion të zhvillimit të impianteve energjetike në kohë shumë të shkurtër.

Marrëveshjet

Firmosja e tri marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë dhe energjisë mes Shqipërisë dhe Italisë janë firmosur dje në Tiranë nga ministri shqiptar i Ekonomisë Genc Ruli dhe homologu i tij italian Klaudio Skajola, i cili shoqërohej në këtë vizitë nga një grup i madh investitorësh italianë. Marrëveshja synon realizimin e linjës nënujore të interkonjeksionit dhe gazsjellësit mes dy vendeve tona, e cila do të kalojë nëpër Adriatik. Ministri Ruli, në konferencën e organizuar me investitorët italianë, tha se rrjeti shqiptar bëhet kështu pjesë e sistemit rajonal të energjisë. “Realizimi i linjës së re 400 kilovolt Tiranë-Elbasan, si dhe ngritja e dispeçerisë së kontrollit janë ndër investimet më kryesore”, – deklaroi ministri i Energjetikës, Ruli. Ai shtoi më tej se, “në këtë kuadër, marrëveshja e nënshkruar sot në sektorin elektroenergjetik merr një rëndësi të veçantë për zhvillimin bashkëkohor të këtij sistemi”. Nga ana e tij, ministri Skajola u ndal në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe u shpreh interesimi i përbashkët për thellimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Korridori 8

Ministri italian i Ekonomisë, Skajola, gjatë një takimi me ministrin shqiptar të Transporteve Sokol Olldashi, garantoi mbështetjen e Italisë për Korridorin 8, si dhe bashkëpunimin mes postave të të dy vendeve për t’u mundësuar studentëve shqiptarë në Itali transferta parash drejt atdheut me koston e vetëm një sms-je. Ai vlerësoi disa prej zhvillimeve të ekonomisë shqiptare sipas standardeve të tregut të lirë, gjë që ilustrohet edhe nga prania e madhe e mjaft sipërmarrësve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj në vendin tonë, të cilët kanë investuar dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre në prodhimin e çimentos, tekstileve, mekanikës, si dhe shprehu besimin në ecurinë pozitive të mëtejshme ekonomike të vendit, duke u bazuar në resurset ekonomike, natyrore dhe njerëzore që Shqipëria disponon. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Genc Pollo, përfaqësues të biznesit elektroenergjetik të të dy shteteve etj.

Sektori i energjetikës, i rrezikuar nga ndryshimet klimatike

Sektori i energjetikës në Shqipëri është i rrezikuar nga ndryshimet klimatike. Banka Botërore ka organizuar një seminar për rreziqet klimatike dhe prekshmërinë e sektorit energjetik të Shqipërisë. Kjo ka si qëllim të ndihmojë në mbështetjen e zhvillimit të politikave dhe projekteve në Shqipëri, të cilat janë të qëndrueshme ndaj pasigurive klimatike. Sipas ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli, qeveria shqiptare ka programuar politika për mbrojtjen e vendit në rastet e ndryshimeve klimatike. Ky seminar sjell së bashku shumë nga grupet kyçe të përfshira në sektorin e energjisë në Shqipëri, duke përfshirë ministritë dhe agjencitë shtetërore, shërbimet publike dhe korporatat, kompani private, specialistë, konsulentë dhe ekspertë të sektorit të energjisë.

Komisioni i Ekonomisë voton blerjen e trojeve nga kompanitë

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me votat e shumicës projektligjin e qeverisë që u jep të drejtën 100 shoqërive private me aksioner edhe shtetin të blejnë përfundimisht tokat që u janë dhënë në përdorim. Sipas draftit, bizneset do ta blejnë tokën që e kanë në përdorim me çmimet mesatare të përcaktuara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në hartën e çmimeve. Ligji parashikon se nëse shoqëritë nuk duan ta blejnë tokën, atëherë ajo do të shitet në ankand dhe të ardhurat e përfituara do të përdoren për të kompensuar ish-pronarët. Sipas listës së paraqitur nga Ministria e Ekonomisë, një pjesë e mirë e këtyre bizneseve që kanë në përdorim tokë shtetërore nuk kanë aktivitet dhe ndodhen në procese gjyqësore ose likuidim e sipër. Deputetët e opozitës kanë votuar ndërkohë kundër projektligjit.

Comments (1)

Tags: ,

24 projekte, KE-ja i jep Shqipërisë 60.917 milionë euro

Posted on 10 March 2009 by admin

KE-Shqiperi, marrëveshje per rindërtimin e Gërdecit
Bregu dhe Lohani nënshkruajnë grantin e alokuar

Komisioni Evropian i jep Shqipërisë mbështetje financiare përmes një granti prej 60.917 milion eurosh të cilat do të përdoren për 24 projektet e programit IPA 2008. Janë 10 milionë lekë që KE-ja jep më tepër se në vitin 2007. Kjo mbështetje konsiston në përmbushjen e kërkesave politike dhe atyre social-ekonomike, rritjen e aftësisë për të përballuar detyrimet e anëtarësimit, si dhe për pjesëmarrjen në programet komunitare. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan, nënshkruan dje grantin e dytë alokuar vendit tonë në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit IPA, si dhe marrëveshjen e financimit për projektin prej 3.1 milionë për rigjallërimin dhe rikthimin e normalitetit në fshatin e Gërdecit. 19 milion euro nga buxheti total do të mbështesin kryesisht reformën aktuale të administratës publike, nëpërmjet mbështetjes për departamentin e Administratës Publike, si dhe me qëllim përmirësimin e kapaciteteve administrative të Shqipërisë; do t’u jepet asistencë për menaxhimin e procesit të zbatimit të MSA-së strukturave të koordinimit të përgjithshëm, si Ministrisë së Integrimit Evropian, Këshillit të Ministrave dhe Ministrive të Linjës. 22 milionë euro prej buxhetit total i dedikohet vazhdimit të mbështetjes për reformat strukturore në vend, nëpërmjet aktiviteteve për zhvillimin rajonal, si dhe mbështetjes për përmirësimin e menaxhimit dhe kushteve e rrugëve sekondare dhe lokale, për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Arsimin, duke i kushtuar vëmendje të veçantë forcimit të shkollave të formimit profesional. IPA 2008 kontribuon edhe për harmonizimin e procedurave doganore me standardet e BE-së si dhe do të mbështetet sistemi gjyqësor nëpërmjet ndërtimit të një qendre paraburgimi në Shkodër. Asistenca e mëtejshme do të mbështesë masat anti-korrupsion dhe forcimin e menaxhimit financiar publik, veçanërisht të sistemit të thesarit dhe prokurimit publik. 24 milionë euro shkojnë për përmirësimin e aftësive të kapaciteteve administrative dhe respektimin e kërkesave të MSA-së në lidhje me të drejtën e autorit, metrologjinë, konkurrencën, ndihmën mjekësore dhe aviacionin civil. Nën këtë kriter, IPA do të mbështesë gjithashtu edhe krijimin e një strategjie të zhvillimit rural dhe të strukturave përkatëse, sistemin e monitorimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes (peshkimi), edhe në fushën e transportit: rrugët interurbane transurbane dhe porti i Shëngjinit. Në lidhje me pjesëmarrjen në programet komunitare CIP, FP7 dhe Evropa për Qytetarët, Shqipëria do të mbështetet me rreth 1.2 milion euro nga buxheti total i programit IPA 2008. Qeveria shqiptare në marrëveshje me delegacionin e Komisionit vendosi të alokonte një shumë totale prej 3.120 milionë eurosh për “Projektin për rigjallërimin e infrastrukturës së Gërdecit”, me qëllim rigjallërimin e zonës së Gërdecit, nëpërmjet ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturës, të situatës në shkolla dhe atë mjedisore, duke siguruar lehtësirat e nevojshme për këtë zonë të dëmtuar. Kjo ndërhyrje komunitare bazohet në dokumentin harmonizues për rindërtimin e zonës së Gërdecit, të hartuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, me qëllim harmonizimin e donacioneve komunitare për të lehtësuar situatën. Për këtë projekt nuk parashikohet bashkëfinancim, meqenëse qeveria shqiptare si reagim ndaj emergjencës së jashtëzakonshme filloi menjëherë, me burimet e saj, të rindërtonte një pjesë të zonës së prekur.

Comments (0)

Tags:

Enel, marrëveshje me Konfidustrinë për parkun energjitik të Porto Romanos

Posted on 19 February 2009 by admin

Enel dhe Konfindustria Shqiptare nënshkruajnë marrëveshje në Shqipëri për të mbështetur zhvillimin e kompleksit energjitik të Porto Romanos. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje Enel-i do të bashkëpunojë me kompani të kualifikuara shqiptare, në zbatimin e programeve dhe projekteve në vend, me një fokus të veçantë në ndërtimin e Kompleksit Energjitik në Porto Romano. Me anë të së njëjtës marrëveshje, Konfindustria Shqiptare me president Ing. Hajredin Fratari do të mbështesë Kompleksin Energjitik dhe do të rrisë ndërgjegjësimin në radhët e anëtarëve të saj duke i ofruar në të njëjtën kohë Enel- Albania-s asistencë teknike rreth projekteve të kompanisë. Kompleksi Energjitik në Porto Romano do të prodhojë energji në ngarkesë bazë që është themelore për zhvillimin e balancuar të prodhimit miks shqiptar dhe për tërë zhvillimin ekonomik të vendit. Enel Albania sh.p.k (që këtu e në vijim: Enel Albania), një kompani pjesë e Enel Group dhe Konfindustria Shqiptare, bashkim i pavarur i biznesit që operon në Shqipëri me president ing. Hajredin Fratarin, kanë nënshkruar dje një memorandum mirëkuptimi për një bashkëpunim më të afërt në kuadrin e zhvillimit të projekteve energjetike në vend. Nëpërmjet këtij memorandumi Enel Albania dhe Konfindustria Shqiptare bien dakord që t’i konsiderojnë iniciativat e Enel-it në Shqipëri dhe veçanërisht zhvillimin e Kompleksit Energjitik, si strategjike për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të vendit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Enel Albania do të bashkëpunojë me kompani të kualifikuara shqiptare për të nxitur përfshirjen e tyre në implementimin e Kompleksit Energjetik, në përputhje me dispozitat përkatëse të BE-së dhe legjislacionit kombëtar.

Nga ana e saj, Konfindustria Shqiptare do të sigurojë asistencë teknike dhe do të mbështesë ndërgjegjësimin rreth programeve të Enel-it në Shqipëri, me një fokus të veçantë në ndërtimin e Kompleksit Energjitik në Porto Romano. Kompleksi Energjitik që po zhvillohet nga Enel konsiston në ndërtimin e një termocentrali me fuqi 800 MW me qymyr të pastër, një bankinë ngarkim-shkarkimi, një linjë ajrore transmetimi me tension 400 kV e cila lidh termocentralin e ri me Rrjetin shqiptar të Shpërndarjes dhe një linjë nënujore 500 kV që do të lidhë centralin me Rrjetin italian të Shpërndarjes. Kompleksi do të prodhojë energji konkurruese në ngarkesën bazë që është vendimtare për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, dhe do të ofrojë fleksibilitetin e një ndërlidhjeje të drejtpërdrejtë me Italinë për të përmirësuar kështu integrimin e të dy tregjeve të energjisë.

Comments (0)

Advertise Here
Advertise Here