Archive | Ekonomia&Financa

Tags:

Zgjedhjet 2009 PD shpenzoi 157 milionë PS 101

Posted on 25 November 2009 by admin

Publikohen shpenzimet e fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. Lista e partive
Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim – kanë rezultuar të pastra kundrejt ligjit për sa i takon financimit të fushatës zgjedhore të 28 qershorit. Sipas raporteve të 26 ekspertëve kontabël pas auditimit të fondet të përftuara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për fushatën zgjedhore, 9 subjekte zgjedhore kanë qenë korrekte me ligjin, ndërkohë që pjesa tjetër kanë pasur mangësi në dokumentacion. Konkretisht, për to Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të marrë sot masën administrative të gjobës në masën 50 mijë dhe 60 mijë lekë. Shuma e shpenzuar nga partitë politike është 366 599 376 lekë. Nga këto PD-ja ka shpenzuar për zgjedhjet 157 054 067 lekë, PS-ja 101 746 870 lekë, LSI-ja 22 889 831 lekë. Nga opinionet e audituesve vërehet se nuk ka pasur asnjë rast të refuzimit për të bërë transparent burimet e financimit të fushatës apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e auditit. Nga shqyrtimi i raporteve te auditimit rezultuan se disa parti politike nuk kanë respektuar dispozitat e Kodit Zgjedhor në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore. Disa subjekte nuk kanë regjistruar në regjistrin e posaçëm të miratuar nga KQZ-ja shumën e fondeve të përftuara nga personat fizikë apo juridikë, disa nuk kanë respektuar kërkesat e parashikuar nga neni 91, pika 3 e Kodit Zgjedhor, pasi shpenzimet e bëra prej tyre për fushatën zgjedhore nuk janë dokumentuar, duke respektuar legjislacionin tatimor, ndërsa disa të tjera nuk kanë respektuar kërkesën e parashikuar në nenin 91, pika 2 të Kodit Zgjedhor, pasi nuk kanë hapur një llogari të posaçme për dhurimin e fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë. Konkluzionet janë bërë mbi një kontroll rastësor të dokumentacionit dhe në asnjë rast nuk janë bërë kërkime shtesë në lidhje me fonde të përfituara dhe të shpenzuara. Nga 33 parti të audituara kanë përfituar fonde nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore 11 parti, kanë përfituar fonde nga donatorë, persona fizikë ose juridikë 13 parti, 7 parti politike nuk kanë përfituar dhe nuk kanë shpenzuar fonde për fushatën zgjedhore. Asnjë nga partitë politike nuk ka shpenzuar më shumë se 165 733 420 lekë, 10-fishi i shumës më të madhe që një parti ka përfituar nga fondet publike.

Totali i fondeve të shpenzuara Gjoba

Partia Demokratike 157 054 067 lekë

Partia Socialiste e Shqipërisë 101 746 870 lekë

Lëvizja Socialiste për Integrim 22 889 831 lekë

Partia e të Drejtave të Mohuara e Re 15 060 000 lekë 60 mijë lekë

Partia Republikane 13 147 971 lekë 50 mijë lekë

Partia Agrare Ambientaliste 11 294 801 lekë

Partia Demokracia Sociale 10 484 816 lekë 50 mijë lekë

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 7 708 921 lekë 50 mijë lekë

Partia Socialdemokrate 6.841.000 lekë 60 mijë lekë

Partia “G-99” 5 352 801 lekë

Partia Aleanca Demokratike 2 642 701 lekë 50 mijë lekë

Partia për Drejtësi dhe Integrim 2 518 645 lekë 60 mijë lekë

Partia Demokristiane 1 946 975 lekë 60 mijë lekë

Partia Toleranca e Re 1 252 010 lekë 60 mijë lekë

Partia e Reformave Demokratike 1 150 000 lekë 60 mijë lekë

Partia “Lëvizja e Legalitetit” 1 031 500 lekë 60 mijë lekë

Partia “Bashkimi Liberaldemokrat” 958 877 lekë

Partia “Lidhja Demokristiane” 900 000 lekë 50 mijë lekë

Partia Socialiste e Vërtetë ’91 769 800 lekë

Partia “Ligj dhe Drejtësi” 492 000 lekë 50 mijë lekë

Partia “Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet” 452 000 lekë 60 mijë lekë

Partia “Rruga e Lirisë” 350 000 lekë

Partia “Balli Kombëtar” 220 000 lekë 50 mijë lekë

Partia “Ora e Shqipërisë” 158 090 lekë 50 mijë lekë

Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve 100 000 lekë

Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar 75 700 lekë 50 mijë lekë

Partia Demokracia e Re Evropiane 50 mijë lekë

Partia e Gjelbër 50 mijë lekë

Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 50 mijë lekë

Partia “Forca Albania” 50 mijë lekë

Partia Konservatore 50 mijë lekë

Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut 50 mijë lekë

Comments (0)

Tags:

Kufiri me Greqine dhe gazsjellësi

Posted on 13 October 2009 by admin

Midis çështjeve të shumta që janë diskutuar e vazhdojnë të diskutohen te ne lidhur me fqinjin tonë jugor, këta muajt e fundit doli në dritë edhe një problem tjetër, që për politikën aktuale shqiptare u konsiderua si një problem thjesht teknik, zgjidhja e të cilit kërkon vetëm përdorimin e kompasit. Por, a është thjesht punë kompasesh marrëveshja ende e paratifikuar nga Kuvendi Popullor?! Ato pak zëra kundër, që u dëgjuan lidhur me të, e trajtuan Marrëveshjen vetëm në pikëpamjen territoriale dhe patriotike, ndonëse me shumë të drejtë. Por, ka dhe diçka tjetër që duhet thënë lidhur me këtë rajon ujor që shtrihet midis Korfuzit dhe bregut shqiptar apo Rivierës shqiptare, siç na pëlqen që ta quajmë.

Zoti Karamanlis mbërriti në Tiranë më 29 prill të vitit 2009, menjëherë mbas vizitës që pati në Sofje të Bullgarisë më datë 27 prill të këtij viti. Midis të tjerash, atje patjetër kanë diskutuar dhe gjëra për të cilat do të merrnin vendime të rëndësishme disa kohë më vonë, dhe konkretisht në datën 16 maj të vitit 2009 në Soçi të Rusisë.
Po çfarë ndodhi në Soçi? Në Soçi u morën vendime shumë të rëndësishme lidhur me të ardhmen energjetike të Europës. “Gazprom”-i rus nënshkroi një paketë dokumentesh për realizimin e gazsjellësit “South Stream”, me holldingun bullgar të energjisë, me kompaninë greke “DESFA” dhe me kompaninë serbe “Serbijagaz”, për bashkëpunim në ndërtimin e tubacioneve për transit të gazit nëpër territoret e Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë dhe më pas, me destinacion Europën Perëndimore.

Një ditë para nënshkrimit të marrëveshjeve të mësipërme, në takimin Putin – Berluskoni, kompania italiane “Eni” arriti marrëveshje për rritjen e kapacitetit përcjellës të “South Stream” nga 31 në 63 miliardë metra kub gaz në vit. Gjithë kjo sasi gazi do të kalojë nga Greqia për në Itali; sigurisht me një tubacion nënujor që patjetër kalon midis Korfuzit dhe bregdetit shqiptar. Me sa duket, kjo është dhe arsyeja e ngutjes greke për sanksionimin e kufirit detar midis nesh. Një ngutje që nuk ka se si të mos na sjellë në mendje zvarritjet e problemeve që rrinë pezull prej shumë kohësh midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Këtu dalin edhe disa pyetje, për të cilat specialistët tanë të fushave duhet të na japin përgjigje!
1. Ky tubacion gazi që do të furnizojë me gaz gjysmën e Europës, a ka ndonjë ndikim negativ në ambientin e bregdetit tonë jugor, në të cilin ne po investojmë për turizëm djersën dhe mundin e shumë viteve pune dhe emigracioni?
2. Ky tubacion, si pozicionohet me kufirin tonë detar të vjetër dhe me atë të ri? Do të jetë brenda, apo jashtë, sa afër ujërave tona territoriale?
3. A ka përfitime financiare apo të ndonjë natyre tjetër Shqipëria nga ky projekt që mundohet të na nxjerrë jashtë skemave të furnizimit me gaz? Kemi apo s’kemi pozicion strategjik?
Për të pasur një ide se çfarë përfitimesh do të kenë vendet e tjera që do të jenë pjesë e këtij transitimi po japim disa të dhëna të vogla. Turqia i kërkon Rusisë për këtë gazsjellës që do kalojë në Shelfin e saj verior, në Detin e Zi, ndërtimin, nga pala ruse, e një centrali bërthamor me tre reaktorë të një fuqie të madhe dhe një degëzim të gazsjellësit që ta përshkojë Turqinë Qendrore nga veriu në jug e të dalë në Detin Mesdhe, për të vazhduar drejt Izraelit. Jo pak, por Rusët janë gati që ta bëjnë këtë.
Bullgaria, përveç përfitimeve të tjera, vetëm taksë vjetore transiti do të përfitojë rreth 30 milionë dollarë në vit.
Në Bullgari, ky gazsjellës degëzohet në dy degë; njëra degë merr Veriun, nëpër Serbi, – drejt Europës Qendrore, kurse tjetra në Jug, – drejt Greqisë. Gazsjellësi në fjalë u shërben interesave ruse për politikën e tyre energjetike. Ai është konkurrent i “Nabuço”-s, që është varianti perëndimor, i mbështetur fuqishëm edhe nga SHBA, për furnizimin me gaz të Europës nga Azia Qendrore, Azerbajxhani, Irani dhe Katari.
Rivaliteti është mjaft i ashpër. Nga fundi i muajit maj të këtij viti Beogradin e vizitoi dhe zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, i cili u bëri serbëve shumë premtime, por edhe presion në të njëjtën kohë. Vizita e tij ishte koordinuar, jo rastësisht, me takimin e 57-të të Bilderbergëve, që u mbajt në rrethinat e Athinës në Viljameni. Bilderbergët përfaqësojnë një klub të themeluar në vitin 1954, me iniciativën e familjes mbretërore holandeze, që është dhe pronare e koncernit më të madh të naftës “Royal Dutch Shell”. Ky klub kishte si qëllim fiksimin e pozicioneve të elitës së Europës dhe asaj të SHBA-ve, kurse sot punon me intensitet për Rendin e Ri Botëror.
Në takim ndodheshin 120-150 liderë të politikës botërore, anëtarë të familjeve mbretërore, klerikë, bankierë dhe manjatë të mediave. Ndodheshin aty edhe dy ish-presidentët Bush, atë e bir, sekretari amerikan i Financave, Timoti Gajtner, bankierët Zelik dhe Volfovic, Riçard Hollbruk, mbretëresha e Spanjës, ajo e Holandës etj. Veç problemeve të tjera që shqetësojnë aktualisht botën, në takim u diskutuan dhe planet energjetike ruse për Ballkanin, përfshirë këtu dhe “South Stream”. Atje u vendos t’i bëhet presion Serbisë që të heqë dorë nga nënshkrimi i marrëveshjes me “Gazprom”-in duke iu përmendur atyre se veç problemit të Kosovës, atyre mund t’u hapen probleme edhe me Vojvodinën e hungarezët që jetojnë atje. Gazsjellësi mendohet të kalojë pikërisht nëpër këtë rajon fushor drejt Hungarisë. Besoj se këto gjëra dihen nga ata shqiptarë që merren me politikë dhe që kanë mandat për të përfaqësuar interesat e këtij vendi.
Prandaj dhe përcaktimi i kufirit ujor nuk është një çështje që zgjidhet thjesht me kompas. Ky problem nuk u duhet besuar vetëm atyre që dinë të përdorin kompasin!

Comments (0)

Tags:

Komisioni i Ekonomisë miraton pr/ligjin: Pronat e sindikatave i kalojnë shtetit

Posted on 28 September 2009 by admin

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar sot projektligjin për kalimin e pronave të sindikatave në pronësi të shtetit. Në këtë mënyrë të gjithë kontratat që sindikatat kanë me investitorët bëhen të pavlefshme.

Në bazë të projektligjit që kalon së shpejti në Parlament shteti bëhet pronar i qindra objekteve, kryesisht ish-shtëpitë e pushimit që tashmë janë bërë hotele në të cilat investitorët kanë kryer miliona lekë investime. Në bazë të ligjit të ri, investitorët duhet të kompensohen nga sindikatat. Në shumë raste çështjet pritet të shkojnë në gjykatë. Siç dihet sindikatat nuk kanë para dhe investitorëve mund t’iu shkojnë dëm miliona lekë investime, pasi tashmë të gjitha objektet janë pronë e shtetit.

Hartuesit e këtij projektligji iu janë referuar një ligji të miratuar në vitin 1998 për të njëjtën çështje sipas të cilit, pas marrjes së pronave nën administrim, sindikatat nuk kanë të drejtë që të bëjnë tjetërsim të tyre deri në vitin 2020. Nëse të ardhurat që lëvrohen nga marrëdhënia sindikatë-investitor kalojnë në favor të shtetit, situata ndryshon në qoftë se vetë sindikata është debitore kundrejt një investitori. Në këtë rast shteti nuk njeh asnjë përgjegjësi për shkak se sipas relacionit shpjegues të projektligjit, sindikatat nuk kanë qenë pronare të ligjshme të këtyre pronave.

Nga të dhënat e ofruara nga hipoteka një pjesë e mirë e pasurisë së sindikatave janë shitur, një pjesë janë lëshuar me qira, ndërsa ka edhe prona të tjera mbi të cilat nuk është kryer asnjë veprim duke i lënë në gjendjen e fillim viteve 90-të. Nderkohe Kryeministri Berisha deklaroi kohe me pare se shteti eshte ai që do të investojë mbi to ndërsa më pas do t’ua shesë aksionet investitorëve të interesuar.

Krahas pronave që janë nën administrimin e investitorëve, një pjesë tjetër e tyre që deri në miratimin e këtij projektligji ishin nën administrimin e sindikatave do të vihen në dispozicion të fondit për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Për identifikimin e tyre, është ngarkuar Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike. Ky proces duhet të përfundojë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij projektligji ndërsa për të gjithë procesin do të raportojë para Këshillit të Ministrave. Nga ana tjetër, brenda një afati kohor 60 ditë nga marrja e të dhënave, qeveria miraton fondin e pronave të paluajtshme të cilat vihen në dispozicion për kompensim fizik ndaj pronarëve sipas ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” dhe i ve në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave.

Comments (0)

Tags:

Nxirren në shitje 12.1 miliardë lekë bono

Posted on 16 September 2009 by admin

Më datë 18 shtator, në ambientet e Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet ankandi i radhës për shitjen e bonove të thesarit. Burime nga Departamenti i Politikave Monetare pranë kësaj banke bëjnë të ditur se në shitje do të nxirren bono thesari me maturim 6-mujore dhe 12-mujore kundrejt një vlere të përgjithshme prej 12.1 miliardë lekësh. Bonot e thesarit dhe obligacionet janë instrumente borxhi, nëpërmjet të cilave qeveria merr hua nga publiku dhe siguron të ardhurat e nevojshme për të financuar shpenzimet që nuk i mbulon dot nga të ardhurat. Aktualisht, qeveria shqiptare emeton dy lloje letrash me vlerë: bono thesari dhe obligacione. Bonot e thesarit tregtohen për periudha 3, 6 dhe 12-mujore, ndërsa obligacionet kanë periudha maturimi më të gjata 2, 3 dhe 5-vjeçare. Rritja e vazhdueshme e interesave të bonove të thesarit dhe obligacioneve kohët e fundit paraqitet si një mundësi e re edhe për individët. Investimi në bono thesari 1-vjeçare, 6-mujore apo 3-mujore për individët sjell interesa në disa raste dy herë më të larta se depozitat e vendosura në pjesën më të madhe të bankave të nivelit të dytë. Duke qenë se janë detyrim i drejtpërdrejtë i Qeverisë, ato njihen si letra me vlerë me rrezik zero. Bonot emetohen në monedhë kombëtare lekë dhe shiten nëpërmjet ankandeve të organizuara nga BSH-ja. Në ankandin për bono thesari mund të marrë pjesë çdo individ, biznes apo bankë.

Comments (0)

Tags:

Borxhet:Shqipëria do tu kthejë 20.7 milionë USD shteteve të ish-Jugosllavisë

Posted on 11 September 2009 by admin

Pas Greqisë, Shqipëria ka firmosur marrëveshjen për kthimin e borxheve të vjetra për shtetet që kanë qenë pjesë e Federatës Jugosllave. Gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar bisedimet mes Tiranës zyrtare dhe përfaqësuesve të vendeve që u krijuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Mediat sllovene dhe maqedonase njoftojnë se janë firmosur edhe kontrata për ndarjen e borxhit, që arrin në total në 20.7 milionë dollarë. Sipas agjencisë shtetërore të Sllovenisë, “SRT”, borxhi që u trashëgua nga sistemi komunist do të paguhet në dollarë dhe përfshin edhe normën e interesit. E gjithë shuma do të përpjesëtohet mes Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Mbyllja e bisedimeve me shtetet e ish-Jugosllavisë është pjesë e procesit të bisedimeve me të gjitha vendet që regjimi “Hoxha” u mori borxhe. Mes tyre janë edhe Kina dhe Rusia, të cilat kanë kërkuar vazhdimisht nisjen e bisedimeve për shlyerjen e parave që u morën gati gjysmë dekade më parë nga Tirana zyrtare.
Marrëveshja
Vendet që u krijuan nga ish-Jugosllavia mbyllën bisedimet 2-ditore në Tiranë, me arritjen e një marrëveshjeje në parim me Shqipërinë për shlyerjen e borxhit që i kishte ish-Federatës, në vlerë 20.7 milionë dollarë. Sipas agjencisë “SRT”: “Përfaqësuesi slloven, Rudolf Grabovec, tha se marrëveshja është arritur mbi një raport shkëmbimi 1 me 1 të shlyerjes së borxhit në dollarë dhe përqindje interesi”.
“Bisedimet ishin të suksesshme për të gjitha palët, duke pasur parasysh që secili shtet arrini në përgatitjen e një memorandumi me Shqipërinë”, – tha Gabrovec.
Bisedimet e Tiranës u mbajtën pasi Komiteti për shlyerjen e borxheve arriti në një konsensus në Sarajevë, në takimin e zhvilluar në muajin korrik, në lidhje me shpërndarjen e pasurisë financiare dhe të borxheve që i kanë Jugosllavisë 7 vendet: Shqipëria, Algjeria, Egjipti, Bullgaria, Kamboxhia, India dhe Guineja. Çështja e borxheve të trashëguara nga ndarja e ish-Jugosllavisë është një problem i ndërlikuar edhe mes vetë shteteve që dolën prej saj. Aktualisht ata janë në bisedime për ndarjen e pasurisë dhe sigurimeve shoqërore, pasi shumë prej shteteve të Jugosllavisë së dikurshme nuk përfitojnë pensione vetëm për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes palëve.
Shlyhet Greqia
Vetëm pak javë më parë u bë e ditur shuma prej 48 milionë dollarësh që Shqipëria duhet t’i kthejë Greqisë për borxhet që ia kishte marrë asaj në vitet 1987-1991. Vendimi është marrë në javën e dytë të dhjetorit të vitit të kaluar. Në vendim thuhej vetëm se qeveria shqiptare kishte detyrime të pashlyera ndaj shtetit grek, të krijuara gjatë sistemit komunist. Po ashtu, në vendim thuhet se detyrimet ishin konkretisht ndaj Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Organizatës së Sigurimit të Kredive të Eksportit. Sipas Ministrisë së Financave, borxhi është marrë gjatë viteve 1987-1991, kur Shqipëria po kalonte momente të vështira ekonomike, ndërsa sistemit komunist po i vinte fundi.
Shteti ynë i kishte Bankës Kombëtare të Greqisë 7.5 milionë dollarë, ndërsa diferenca i takon Organizatës së Sigurimit të Kredive të Eksportit.
Po ashtu, buxheti i shtetit ka të trashëguar një borxh ndaj Kinës që arrin në 37,2 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e këtyre huave janë marrë para vitit 1991, gjatë periudhës kur marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës ishin të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Procedurat për pagimin e borxheve kanë nisur që në vitin 1993, megjithëse edhe sot nuk dihet akoma shifra e saktë e tij. Mes vendeve që shteti shqiptar ka borxhe janë edhe Rusia dhe Zvicra. Kësaj shume i bashkëngjiten edhe borxhet që Shqipëria iu ka marrë shteteve apo institucioneve financiare ndërkombëtare që nga viti 1991 dhe deri më sot. Ato arrijnë në mbi 1.3 miliardë dollarë. Nëse do ti shtojmë edhe borxhin e brendshëm, shuma arrin rreth 4.5 miliardë dollarë, një barrë e rëndë kjo për shtetin tonë të varfër.

Të dhëna statistikore për borxhin e jashtëm

Borxhi shumëpalësh: 1 miliard dollarë
Borxhi dypalësh: 413 milionë dollarë
Klubi i Parisit: 122 milionë euro
Stoku i borxhit të jashtëm: 1 miliardë e 300 milionë euro

Dypalësh: 819,586.010 USD

Greqia: 215,625.500
Italia: 168,140.280
Gjermania: 159,263.840
Japonia: 62,613.950
Kuvajti: 46,219.260
Kina: 37,260.360
Norvegjia: 26,106.740
Koreja: 27,586.690
Turqia: 20,980.640
Hungaria: 14,178.950
Çekia: 10,121.640
Zvicra: 6,663.640
Austria: 5,964.780
Rumania: 5,408.230
Sllovakia: 5,060.820
Suedia: 4,125.000
Spanja: 1,752.010
Maqedonia: 1,160.260
Polonia: 1,250.160
Bullgaria: 103.250

Comments (0)

Tags:

Qeveria merr vendimin për Karaburunin

Posted on 23 June 2009 by admin

Pak javë përpara zgjedhjeve kyçe për Shqipërinë, qeveria ka miratuar në heshtje ndërtimin e atij që ndoshta mund të jetë parku eolik (për energjinë me anë të erës) më i madh në Europë.
Qeveria i ka transferuar më shumë se 97 hektarë tokë kompanisë italiane Moncada Energy përfshirë dhe një kilometër zonë mbrojtje, në të cilin nënkontraktori shqiptar Enpower Albania synon të ndërtojë një park eolik me fuqi 500 megawatt, në jug të vendit.

Një investigim i BIRN në dhjetor të vitit 2008 tregonte se projekti rrezikon të shkatërrojë një prej zonave më të paeksploruara në Europë duke lejuar ndërtimin e parkut eolik në një rezervat natyror dhe mbi territorin e një parku kombëtar.

Vendimi për të dhënë tokën dhe leja mjedisore janë të paligjshme sipas ligjeve shqiptare që synojnë mbrojtjen e rezervateve natyrore.

Grupet ambientaliste janë të tërbuara me vendimin e Ministrisë së Mjedisit për të lëshuar një leje për parkun eolik në gadishullin e Karaburunit- një park natyror- dhe një nga vendet më të bukura në gjithë Mesdheun.

Projekti përfshin ndërtimin e një linje transmetimi që do të kalojë nga porti i Vlorës për në portin italian të Brindizit.

Kablli me fuqi 400kV do të shtrihet në thellësinë 900 metra për rreth 145 kilometra dhe do të mundësojë kalimin e energjisë për në vendin fqinj. Linja e interkonjeksionit dhe parku eolik do të kenë një vlerë të përafërt prej 1.25 miliard euro. Ndërtimi pritet të nisë në vitin 2010.

Ekspertët e konsiderojnë gadishullin e Karaburunit, që ka një hapësirë prej 62 kilometrash katrorë, afër qytetit të Vlorës, së bashku me parkun e Llogarasë, si një nga parqet natyrale më të rëndësishme të Mesdheut.

Ndërsa momentalisht ajo është një rezervë natyrore, një seri studimesh sugjerojnë që e gjithë zona të kthehet në park kombëtar.

Kjo sugjerohet nga projekti MedWetCoast në vitin 2006, Plani për Veprim Strategjik për Biodiversitetin në vitin 2002, Plani për Aksion në Zonat e Bregdetit në vitin 1996 dhe një raport për aktivitetet në zonat me mbrojtje speciale që daton në vitin 1996.

Genuario Belmonte, Profesor për Biologjinë Detare në Universitetin e Salentos në jug të Italisë e përshkruan Karaburunin si një parajsë të pazbuluar.

Comments (0)

Tags:

Skemë e re për financimin e bizneseve

Posted on 12 June 2009 by admin

Financim deri në 200 mijë euro dhe mbulim kostosh për bizneset që mbrojnë mjedisin

Qeveria ndryshon ligjin për ndihmën shtetërore ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

Bizneset e vogla në vend mund të përfitojnë ndihmë financiare nga shtetit deri në 200 mijë euro. Një ndryshim i bërë në ligjin “Për ndihmën shtetërore” parashikon mbështjetje financiare për ndërmarrjet e vogla të sapokrijuara dhe të regjistruara për herë të parë në QKR, në 12 muajt e fundit.

Një nga kushtet e përfitimit është që vlera vjetore e ndihmës nuk duhet të jetë më shumë se 33% e shumës maksimale të financimit prej 200 mijë eurosh. Ligji parashikon ndihmë për të gjitha ndërmarrjet private ose publike, përjashtuar ato që operojnë në sektorin e bujqësisë dhe peshkimit.

Ndihma

Për të përfituar nga ndihma financiare, ligji bën një klasifikim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në këtë grup futen ndërmarrjet, që kanë jo më shumë se 250 punonjës dhe një xhiro vjetore jo më të madhe se 40 milionë euro ose një llogari të bilancit jo më të madhe se 27 milionë euro dhe që nuk janë të zotëruara në një masë më të madhe se 25 për qind të kapitalit ose të së drejtës së votës nga një ose disa ndërmarrje, që nuk cilësohen si ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Për të përfituar financim nevojitet që intensiteti i ndihmës nuk duhet të kalojë 40 për qind të kostove të pranueshme për tre vitet e para pas krijimit të saj dhe 30 për qind në dy vitet pasardhëse. “Kostot e pranueshme do të jenë kostot administrative, ligjore dhe këshillimore, që lidhen drejtpërdrejt me krijimin e ndërmarrjeve të vogla, si dhe kostot operacionale për pesë vitet e para pas krijimit të ndërmarrjes.

TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat e biznesit nuk përfshihen në kostot e pranueshme”,- thuhet në ndryshimet e bëra në ligj. Nga ndihma do të përjashtohen ato ndërmarrje të vogla të kontrolluara nga aksionarë të ndërmarrjeve, që janë mbyllur gjatë 12 muajve të mëparshëm, në rast se këto janë aktive në tregun përkatës apo në tregje, të lidhura me të. Shteti do t’iu ofrojë kompanive që investojnë në burimet e rinovueshme të energjisë. Këto kompani do të ndihmohen deri në 45% të kostove.

Mbështjetja ndaj tyre do të rritet me 20 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe me 10 për qind për ndërmarrjet e mesme. Ndërsa për bizneset që merren me riparimin e dëmeve mjedisore, duke rehabilituar zonat e ndotura, në qoftë se ndërmarrja, që ka shkaktuar ndotjen, nuk është identifikuar dhe intensiteti i ndihmës mund të arrijë deri në 100 për qind të kostove të pranueshme.

Kostot e pranueshme janë kostot për punën rregulluese, duke i zbritur rritjen e çmimit të tokës. Shteti do të marrë përsipër të paguajë edhe kostot e pagave për punonjësit me aftësi të kufizuara deri në masën 75% dhe në masën 50% për punonjësit në vështirësi.

Comments (0)

Tags:

Inflacioni, kërcënimi për Shqipërinë

Posted on 17 May 2009 by admin

Goldman Sachs dhe JP Morgan e këshillojnë Bankën e Shqipërisë të ndërhyjë nëpërmjet ngritjes së normave të interesit. Ekspertët paralajmërojnë se masat e marra nga qeveritë botërore, për të luftuar krizën e përbotshme financiare, mund të prodhojnë një tjetër krizë, atë të inflacionit. Brian Griffiths, nënkryetar i Goldman Sachs International dhe anëtar i Dhomës së Lordëve në Angli, gjatë një leksioni të mbajtur në një nga universitetet private të Tiranës, tha se rreziku që bota të përballet me rritje masive të çmimeve tashmë është evident. “Me gjithë këto stimuj fiskalë dhe monetarë, ka rrezik të hyjmë në krizën e rritjes së çmimeve. Banka e Shqipërisë duhet të ngrejë normat e interesit, po kjo do të sillte konflikt, se do të akuzohej që nuk lufton recensionin”, u shpreh Griffiths. Louis Greig, drejtor menaxhimi në Bankën JP Morgan, thotë se rritja e çmimeve mund të jetë dyshifrore. Shqipëria është një vend importues neto, me një deficit tregtar që vitin e kaluar arriti në 327 miliardë lekë. Ndaj, edhe ecuria e çmimeve në vend është e varur, në një masë të mirë nga ajo në tregjet ndërkombëtare, çka u provua edhe gjatë krizës së çmimeve në verën e vitit të kaluar. Indeksi vjetor i Çmimeve të Konsumit, gjatë muajit prill 2009 ishte 1,9 për qind. Një vit më parë, ky tregues ishte 4,4 për qind. Ky tregues, krahasuar me muajin e mëparshëm, shënoi një ulje prej 0,1 për qind. Arsyet kryesorë të uljes së këtij indeksi, krahasuar me një muaj më parë, janë ulja e çmimeve në disa grup-mallra ushqimore. Kështu, gjatë muajit prill 2009 janë ulur çmimet e grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,2 për qind, duke pasur një ndikim prej 0,1 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, uljen më të madhe të çmimeve e ka pësuar nëngrupi i zarzavateve me 3 për qind.

Comments (0)

Tags:

Kreditë e Qeverisë e shtojnë me 36 miliardë lekë borxhin publik

Posted on 06 May 2009 by admin

Viti 2009 interesat e borxhit marrin 3.1% të PBB-së, ku në vitin 2008 u shpenzuan vetëm 2.9 %
Borxhi publik këtë vit është rritur me 3.1 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), duke rënduar kështu shpenzimet në buxhetin e shtetit. Shpenzimet që duhet të përballohen për shkak të huasë së qeverisë arrin të paktën në 36 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Këtë vit (2009), shpenzimet për interesat e borxhit publik shqiptar pritet të rriten me një ritëm dy herë më të lartë sesa shpenzimet totale të buxhetit, si pasojë e rritjes së interesave të brendshme dhe shtimit të kredive tregtare të vendit. Kjo gjë bëhet e ditur nga statistikat të publikuara prej Ministrisë së Financave, ku vetëm këtë vit 36 miliardë lekë (277.2 milionë euro) do të shkojnë për të mbuluar interesat e borxheve me një rritje prej 14 për qind në krahasim me vitin e kaluar (2008). Nga këto, interesat për borxhin e jashtëm pritet të dyfishohen. Këtë vit, interesat do të mbulojnë 3.1 për qind të PBB-së.
Shpenzimet
Vitin e kaluar, Shqipëria shpenzoi 2.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për interesa për borxhet. Borxhi i brendshëm filloi të shtrenjtohej gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar derisa shënoi nivelin më të lartë në shumë vite në shkurt të këtij viti. Interesat e bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor kapërcyen nivelin 9 për qind, kuotë që nuk ishte regjistruar që nga viti 2002. Në ankandin e fundit, interesat për bono me afat 6-mujor u rritën me 15 pikë bazë dhe arritën në 7.61 për qind në një ankand ku oferta e bankave për para mbuloi vetëm 60 për qind të kërkesës së qeverisë për borxh.
Interesi i bonove të thesarit (letra me vlerë, që qeveria ua merr hua investitorëve publikë dhe privatë) me maturim 1- vjeçar, aktualisht ka arritur në 9.2 për qind, duke pësuar një rritje gati me 1 për qind krahasuar me fillimin e vitit.
Borxhi i jashtëm
Interesat për borxhin e huaj pritet “të hanë” këtë vit 35.5 milionë euro sipas planifikimit të Ministrisë së Financave. Por ekspertët e vënë në dyshim saktësinë e këtij parashikimi. Vitin e kaluar, shpenzimet në këtë zë qenë vetëm 25 milionë euro. Shqipëria ka borxhe të jashtme, me vlerë rreth 1.5 miliardë euro, por shumica e këtij borxhi është dhënë nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë me interesa koncesionare. Janë pak kredi tregtare që kërkojnë shumicën dërrmuese të shpenzimeve për interesa.

Comments (0)

Tags:

Borxhi i jashtëm, qeveria merr kredi

Posted on 27 April 2009 by admin

Nëpërmjet një akti normativ në vitin 2008, qeveria rialokoi një fond të konsiderueshëm për të paguar një pjesë të borxhit të jashtëm që shkon në rreth 100 milionë dollarë. Gjatë vitin 2008 qeveria parashikoi që të merrte një sasi të madhe borxhi, për të realizuar investimet e huaja që shkuan në rreth 600 milionë dollarë. Por dhe interesat që u paguan për borxhin në vitin 2008 kapën një nivel të lartë. Interesat e larta rritën ndjeshëm koston e borxhit qeveritar, që për vitin 2008 shkoi në rreth 39.7 miliardë lekë ose 467 milionë dollarë amerikanë. Në harkun kohor të një viti, interesat shtesë që qeveria do të pagoi për borxhin këtë vitin pritet të shkojnë në 104 milionë dollarë. Pjesa dërrmuese e interesave që do të paguhen për vitin 2009 i janë të dedikuar borxhit të brendshëm, rreth 29 miliardë lekë. Ndërsa për borxhin e jashtëm interesat e paguara në vitin 2008 shkuan në 4.3 miliardë lekë. Rreth 6.4 miliardë lekë shpenzime për borxhin publik në vitin 2008 iu dedikuan ripagesave të jashtme. Por qeveria i rriti më tej borxhet e vendit gjatë vitit 2008, kryesisht borxhin e jashtëm. Vitin e kaluar rreth 85.4 miliardë lekë borxh u morrin si borxh nga jashtë dhe u përdorën në financimin e rrugës Durrës-Kukës. Një nga shkaqet e rritjes së shpejtë të kostos së borxhit qeveritar kanë qenë interesat tepër të larta me të cilat ai merret. Gjatë gjithë këtyre viteve, qeveritë e ndryshme kanë marrë në pjesën më të madhe të kohës borxh nga burime brenda vendit, ku bëjnë pjesë bankat e nivelit të dytë dhe Banka Qendrore. Por interesat e diktuara nga ana e tregut, kanë qenë në pjesën më të madhe të kohës, tepër të larta. Edhe nëse i referohemi tabelës së interesave në ankandet e fundit të Bonove të Thesarit, të emetuara nga ana e Ministrisë së Financave, që janë edhe forma klasike e borxhit qeveritar, interesat shkojnë 8-9%. Pjesa dërrmuese e borxhit qeveritar kontrollohet nga bankat e nivelit të dytë, që zotërojnë rreth 70 për qind të portofolit, ndërsa individët dhe grupet e tjera zënë vetëm 7.39% të borxhit publik.

Comments (0)

Advertise Here
Advertise Here