Archive | Arsimi

Tags: ,

Studimet në Itali, dalin rezultatet e provimit të nëntorit për certifikatën “Celi3”

Posted on 22 January 2010 by admin

Instituti Italian i Kulturës publikon rezultatet për 927 kandidatët. Testimi i dytë për marrjen e certifikatës “Celi 3” do të zhvillohet më 6 mars

Dalin rezultatet e provimit për marrjen e certifikatës së njohjes së gjuhës italiane “Celi 3”, për 927 kandidatët që i janë nënshtruar këtij testimi në datën 23 nëntor 2009. Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka publikuar dje zyrtarisht rezultatet e këtij provimi, falë të cilave do të procedohet më tej për pajisjen e kandidatëve me certifikatën “Celi 3”. Provimi për certifikatën e gjuhës italiane “Celi 3 e 5”, lëshuar nga Università per Stranieri di Perugia (Universiteti për të Huajt në Peruxhia) organizohet nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, e cila shërben edhe për të bërë kërkesën për pararegjistrim në universitetet italiane.
Testimi i dytë
Testimi i dytë për marrjen e certifikatës “Celi 3” do të zhvillohet më 6 mars të vitit 2010. Për këtë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka nxjerr afatet e regjistrimit, për t’iu nënshtruar provimit të gjuhës italiane në mars të këtij viti. Kështu, sipas afateve të vendosura, kandidatët që nuk e kanë dhënë në fazën e parë të testimit provimin marrjes së certifikatës “Celi 3”, që u zhvillua në datën 23 nëntor, do t’i nënshtrohen këtij provimi më 6 mars të vitit 2010. Për këtë arsye, këta kandidatë duhet të regjistrohen deri në datën 19 janar të këtij muaji në Institutin Italian, për t’u futur në provimin e marsit. Po ashtu, në këtë provim, mund të marrin pjesë edhe kandidatët që nuk e kanë marrë certifikatën “Celi 3” në provimin e zhvilluar më 6 mars të vitit 2009.
Kandidatët
Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka përcaktuar edhe kandidatët për student në Itali , që kanë të drejtë të futen në provimin e 6 marsit 2010. Sipas njoftimit zyrtar, kanë të drejtë të regjistrohen për provimin e marsit, të gjithë studentët që: kanë kaluar vetëm një provë të njohjes së gjuhës italiane me shkrim ose me gojë, në provimet e marsit dhe nëntorit 2009; zotërojnë një njohje të nivelit superior të gjuhës italiane pasi kanë tre vite që studiojnë. Instituti Italian i Kulturës rithekson se certifikata e njohjes së gjuhës italiane “Celi 3” ose ndonjë certifikatë tjetër analoge e lëshuar nga universitet italiane janë kushti kryesor për t’u pranuar kërkesa për studime në Itali gjatë vitit akademik 2010-2011. Përveç kësaj, pranimi i studentëve të huaj në universitetet italiane kryhet duke u bazuar edhe në numrin kuotave të pranimit që do të përcaktohen në shtator nga Ministria Italiane e Arsimit dhe e Universiteteve. Pajisja me Certifikatën e Njohjes së Gjuhës italiane – Niveli 3 (që i përket nivelit B2 i Quadro Comune Europeo di Riferimento per le Lingue) përbën një nga kushtet e preferueshme dhe të domosdoshme për t’u bërë i mundur pararegjistrimi në universitetet italiane. Marrja e provimit të gjuhës është prova e parë që duhet të kalojë një maturant për të nisur studimet në Itali.

Rregullat për provimin e 6 marsit 2010
Për pjesëmarrjen në provimin e gjuhës, çdo maturant duhet të paguajë një faturë prej 55 eurosh si taksë regjistrimi te Instituti Italian i Kulturës dhe certifikimi i gjuhës bëhet nga Universiteti për të Huajt i Peruxhia-s në Itali. Ndërsa kostoja për studentin që do të përsërisë vetëm një provë është 40 euro. Provimi i dytë për certifikatën “Celi 3” që do të zhvillohet në datën 6 mars të këtij viti do të zgjasë katër orë. Në momentin e hyrjes në provim, duhet të paraqesin: Për të rriturit: dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, kartë identiteti ose patentën e re ). Për minorenet: dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, certifikatë me fotografi ); laps të zi (është i ndaluar përdorimi i stilolapsit). Po ashtu, Instituti Italian i Kulturës sqaron se gjatë zhvillimit të provimit është e ndaluar futja në ambientet e provimit të çfarëdolloj materiali (libra, fletore, fjalorë etj, ) si dhe celularë.

Provimi përfshin pesë prova
1. Prova e leximit
2. Prova e shkrimit
3. Prova e linguistikës
4. Prova e dëgjimit
5. Prova e të folurit

Comments (2)

Tags:

Studimet në Itali, Ambasada Italiane publikon emrat e 526 studentëve

Posted on 08 July 2009 by admin

Ambasada Italiane publikon emrat e 526 kandidatëve për student, që duhet të fusin dokumentet për vizë. Sipas njoftimit zyrtar të kësaj ambasade, duke filluar nga data 16 korrik deri më datën e pakthyeshme të 30 korrikut 2009 studentët e poshtë shënuar mund t’i drejtohen agjencisë më të afërt të Albanian Courier–Union Net, e cila pa asnjë pagesë do të merret me dërgimin në Ambasadën Italiane në Tiranë të dokumentacionit për lëshimin e vizës për studim/universitet dhe pasaportën.
Procedura
Në vijim, pas verifikimit për plotësimin e kritereve të parashikuara nga normativa e ambasadës, kjo e fundit, do të lëshojë vizat hyrëse për studim/universitet. Pasaporta do t’u kthehet të interesuarve me anë të korrierit postar Albanian Courier, bashkë me dokumentacionin që studentët duhet të paraqesin në origjinal pranë universitetit në Itali (Dëftesën e Pjekurisë dhe Certifikatën e Maturës Shtetërore të legalizuara, diplomën CELI 3, etj). Për ridorëzimin e dokumenteve studentët duhet t’i paguajnë korrierit një tarifë prej 300 lekësh (përfshirë TVSH) nëse banojnë në Tiranë, 480 lekë (përfshirë TVSH) nëse banojnë në qytete të tjera.
Afatet
Operacioni i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumenteve të legalizuar do të kryhet nga data 18 deri më 21 gusht 2009. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim/universitet do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2009 deri më 31 janar 2010. Nuk është e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në ambasadë. Për të ditur zyrën e korrierit Albanian Courier–Union Net më të afërt me vendbanimin tuaj, mund të kontaktoni në numrat e telefonit 04 2357976 dhe 04 2357977 ose me e-mail albaniancourier@albaniancourier.al. Të gjithë modulet e nevojshme shpërndahen falas pranë Ambasadës Italiane dhe zyrave të Albanian Courier–Union Net si dhe mund të shkarkohen nga faqja e internetit www///.ambtirana.esteri.it

Lista e dokumenteve që duhen për lëshimin e vizës

Lista e dokumenteve që duhen për lëshimin e vizës për studim/universitet, që do të dorëzohen në agjencinë Albanian Courier–Union Net më të afërt, për tu dërguar më pas në Ambasadën Italiane në Tiranë janë si më poshtë:
Formulari për kërkesë vize, i plotësuar dhe i firmosur, ngjitur në të një fotografi për dokumente. Duhet të shënoni një numër telefoni (fiks, celular) dhe nëse keni adresë e-mail-i;
Deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë;
Pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar; kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale; kopje të faqeve me viza të tjera Shengen;
Dokumentacion për vërtetimin e vendqëndrimit në Itali. Nëse do të qëndroni pranë personave privat: deklaratë strehimi, fotokopje të dokumentit të identitetit, të firmosur të ftuesit (për shembull nëse është shtetas i huaj, lejen e qëndrimit ‘soxhornon’ ose faturat për rinovim ‘riçevutat’; nëse është shtetas italian pasaportën ose kartën e identitetit);
Siguracionin për udhëtim i vlefshëm nga data 24.08.2009 deri më 31.01.2010 (i stampuar);
Faturë bankare. Deklaratë origjinale nga një bankë italiane në Shqipëri (Banca Intesa San Paolo ose BIS Banca–Banca Italiana di Sviluppo), që vërteton derdhjen e pakthyeshme në favor të vetes të shumës 4500 euro. Banka duhet të deklarojë transferimin e kësaj depozite në filialet e saj në Itali. Pathyeshmëria e derdhjes mund të anulohet vetëm në rast se: Ambasada Italiane deklaron refuzimin e vizës; tërhiqet kërkesa për vizë nga ana e klientit, e vërtetuar kjo nga ambasada.

Studentët nën 18 vjeç
Përveç dokumentacionit të kërkuar më lart, studentët që janë nën moshën 18 vjeç bashkë me kërkesën për vizë, duhet të bashkëngjisin edhe një certifikatë familjare, të përkthyer dhe të legalizuar, dhe deklaratën noteriale për aprovim të prindërve mbi qëndrimin në Itali për studim të fëmijës, edhe kjo e përkthyer dhe e legalizuar.

Comments (0)

Tags:

Procedura për studimet jashte shtetit.

Posted on 26 May 2009 by admin

Lista e Plotë e dokumenteve që duhen dorëzuar nga kandidatët që studiojnë jashtë vendit.
Njohja e transferimit e vlefshme vetëm për vitin e plotë dhe jo sezon semestral
Kandidatët që duan të transferojnë studimet nga Universitet e Huaja drejt universitetit të Tiranës, duhet të nisin procesin e mbledhjes së dokumentacioneve të duhura pasi gjatë muajve korrik gush çelet dhe procedura e transferimit. Fillimisht aplikantët e interesuar duhet të dorëzojnë listën e dokumenteve të kërkuara nga UT, mbi bazën e të cilave do të realizohet edhe ekuivalentimi dhe përshtatja e titujve të studimit (por kjo listë duhet të dorëzohet në afatet e caktuara në të kundërt nuk merret fare parasysh kërkesa e transferimit). Burime pranë këtij universiteti kanë bërë të ditur se aplikimet për transferime gjatë vitit të ardhshëm akademik do të shoqërohen me shtesa të listës së dokumenteve, të cilat pritet të publikohen në muajin korrik të plota. Tashmë është ligjëruar me akt të posaçëm se transferimi do të bazohet në transferimin e vitit akademik dhe josemestral, ashtu siç ka ndodhur në vitet e shkuara. Kërkesat mund të paraqiten jo vetëm nga shtetasit shqiptarë që studiojnë jashtë por dhe nga shtetas të huaj që janë të interesuar të ndjekin studimet parën UT-,së në programe të caktuara.

Afatet

Lista e plotë e dokumenteve të reja që do ti bashkëngjiten listës së përdorur në vitet e shkuara do të publikohet gjatë muajit korrik. Kohë në të cilën do të iniciojë dhe dorëzimi i dosjes individuale nga çdo person të interesuar për transferimin e studimeve. Dorëzimi i dokumenteve do të pranohet pranë zyrës së protokollit në Rektoratin e UT-së për një periudhë rreth dy mujore, kohë brenda të cilës do të bëhet dhe verifikimi i të gjitha kërkesave të paraqitura mbi përputhshmërinë me programet studimore universitare. Rishikimi i këtyre kërkesave do të bëhet nga komisione të posaçme ad-hoc që funksionojnë pranë UT-së. Ky komision përbëhet prej anëtarësh të personelit akademik, të cilët do të bëjnë përzgjedhjen e kandidateve, në përputhje me kriteret e vendosura, si edhe njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të fituara prej kandidatëve në programet apo vitet e studimore që kanë kryer jashtë vendit.

Lista

Lista e dokumenteve që kërkohen për transferimin e studimeve nga universitet jashtë shtetit për në atë të Tiranës për sistemin me kohë të plotë, duhet të përmbajë detyrimisht “kërkesën me shkrim e të interesuarit ( së bashku me adresën), certifikatën e lëndëve të dhëna provim me notat dhe kreditet përkatëse për secilën prej tyre (origjinale), planet dhe programet mësimore të lëndëve që ka dhënë provim (origjinale), kopje e noterizuar e indeksit të notave (librezës së notave), si dhe kopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme. Dokumentet e lëshuara nga universitete e huaja duhet të jenë të nënshkruara nga titullarët e këtyre institucioneve, në të

kundërt dosja do të quhet e paplotë dhe si e tillë do të s’kualifikohet menjëherë nga procesi i shqyrtimit. Për këtë aplikim kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë në dosje edhe mandat arkëtimin 1000 lekë (pranë filialit të bankës që do të përcaktohet). Gjithashtu dokumentet duhen të përkthehen dhe noterizohen në Shqipëri, ndryshe nuk do të jenë të vlefshme.

Comments (2)

Tags:

Karta e Bolonjes, mblidhen 46 ministrat e Arsimit për të përcaktuar përparësitë e procesit

Posted on 05 May 2009 by admin

Përcaktimi i përparësive të procesit të Bolonjës për dekadën e ardhshme ka mbledhur kokë më kokë në një takim 46 ministrat e Arsimit që bëjnë pjesë në këtë sistem. Më 28-29 në Leuven/Louvain-la-neuve, Belgjikë, u mbajt takimi i ministrave të Arsimit të 46 vendeve të përfshira në procesin e Bolonjës për të analizuar arritjet e këtij procesi dhe për të përcaktuar prioritetet e Zonës Europiane të Arsimit të Lartë (ZEAL) për dekadën e re 2010-2020. Shqipëria u përfaqësua në konferencë nga një delegacion i kryesuar nga ministri i Arsimit, Fatos Beja. Pasi u njohën me arritjet e çdo vendi në realizimin e procesit të Bolonjës, opinionet e organizatave të ndryshme mbi probleme specifikë si dimensioni social dhe mobiliteti, të mësuarit gjatë gjithë jetës apo roli i studentëve në këtë proces, ministrat diskutuan dhe firmosën deklaratën “Procesi i Bolonjës 2020 – Zona Europiane e Arsimit të Lartë (AL) në dekadën e re”. Në këtë deklaratë theksohen arritjet e deritanishme në arsimin e lartë si rezultat i konsolidimit të procesit të Bolonjës dhe përcaktohen përparësitë për dekadën që vjen, duke kërkuar që universitetet t’u përgjigjen nevojave në rritje për arsim dhe zhvillim të shoqërisë, që reforma të vijojë drejt vlerave europiane të autonomisë institucionale, lirisë akademike dhe barazisë sociale me pjesëmarrjen e studentëve dhe të stafit akademik. Në përparësitë e arsimit të lartë për dekadën 2010-2020 përfshihen dimensioni social i arsimit të lartë për t’u krijuar mundësinë të gjithëve për të përfituar nga ky arsimim; të mësuarit gjatë gjithë jetës; edukimi dhe formimi për tregun; fokusimi i mësimdhënies tek studenti dhe reforma e kurrikulave, duke kërkuar zbatimin e standardeve evropiane të sigurimit të cilësisë; arsimi, kërkimi dhe inovacioni; hapja ndërkombëtare e universiteteve; mobiliteti i studentëve dhe i stafit akademik; financimi i arsimit të lartë etj. Gjithashtu, më 29 prill në Louvain-la-Neuve u mbajt për herë të parë edhe Bologna Policy Forum, në të cilën morën pjesë ministrat e Arsimit të 46 vendeve europiane të përfshira në procesin e Bolonjës dhe ministrat nga Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Egjipti, Etiopia, Izraeli, Japonia, Kazakistani, Kirgistani, Meksika, Maroku, Zelanda e re, Tunizia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë morën pjesë në një debat konstruktiv për zgjerimin e bashkëpunimit dhe partnershipit në arsimit e lartë ndërmjet 46 vendeve të Bolonjës dhe vendeve nga e gjithë bota. Ky forum mbështeti rolin strategjik të arsimit të lartë në avancimin e njohurive dhe të shkëmbimit global të tyre nëpërmjet projekteve të kërkimit multi-nacionale si edhe rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik mbi bazën e vlerave akademike duke nxitur “qarkullimin e trurit” (brain circulation).

Comments (0)

Advertise Here
Advertise Here