Instituti Italian i Kulturës publikon rezultatet për 927 kandidatët. Testimi i dytë për marrjen e certifikatës “Celi 3” do të zhvillohet më 6 mars
Dalin rezultatet e provimit për marrjen e certifikatës së njohjes së gjuhës italiane “Celi 3”, për 927 kandidatët që i janë nënshtruar këtij testimi në datën 23 nëntor 2009. Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka publikuar dje zyrtarisht rezultatet e këtij provimi, falë të cilave do të procedohet më tej për pajisjen e kandidatëve me certifikatën “Celi 3”. Provimi për certifikatën e gjuhës italiane “Celi 3 e 5”, lëshuar nga Università per Stranieri di Perugia (Universiteti për të Huajt në Peruxhia) organizohet nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, e cila shërben edhe për të bërë kërkesën për pararegjistrim në universitetet italiane.
Testimi i dytë
Testimi i dytë për marrjen e certifikatës “Celi 3” do të zhvillohet më 6 mars të vitit 2010. Për këtë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka nxjerr afatet e regjistrimit, për t’iu nënshtruar provimit të gjuhës italiane në mars të këtij viti. Kështu, sipas afateve të vendosura, kandidatët që nuk e kanë dhënë në fazën e parë të testimit provimin marrjes së certifikatës “Celi 3”, që u zhvillua në datën 23 nëntor, do t’i nënshtrohen këtij provimi më 6 mars të vitit 2010. Për këtë arsye, këta kandidatë duhet të regjistrohen deri në datën 19 janar të këtij muaji në Institutin Italian, për t’u futur në provimin e marsit. Po ashtu, në këtë provim, mund të marrin pjesë edhe kandidatët që nuk e kanë marrë certifikatën “Celi 3” në provimin e zhvilluar më 6 mars të vitit 2009.
Kandidatët
Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka përcaktuar edhe kandidatët për student në Itali , që kanë të drejtë të futen në provimin e 6 marsit 2010. Sipas njoftimit zyrtar, kanë të drejtë të regjistrohen për provimin e marsit, të gjithë studentët që: kanë kaluar vetëm një provë të njohjes së gjuhës italiane me shkrim ose me gojë, në provimet e marsit dhe nëntorit 2009; zotërojnë një njohje të nivelit superior të gjuhës italiane pasi kanë tre vite që studiojnë. Instituti Italian i Kulturës rithekson se certifikata e njohjes së gjuhës italiane “Celi 3” ose ndonjë certifikatë tjetër analoge e lëshuar nga universitet italiane janë kushti kryesor për t’u pranuar kërkesa për studime në Itali gjatë vitit akademik 2010-2011. Përveç kësaj, pranimi i studentëve të huaj në universitetet italiane kryhet duke u bazuar edhe në numrin kuotave të pranimit që do të përcaktohen në shtator nga Ministria Italiane e Arsimit dhe e Universiteteve. Pajisja me Certifikatën e Njohjes së Gjuhës italiane – Niveli 3 (që i përket nivelit B2 i Quadro Comune Europeo di Riferimento per le Lingue) përbën një nga kushtet e preferueshme dhe të domosdoshme për t’u bërë i mundur pararegjistrimi në universitetet italiane. Marrja e provimit të gjuhës është prova e parë që duhet të kalojë një maturant për të nisur studimet në Itali.
Rregullat për provimin e 6 marsit 2010
Për pjesëmarrjen në provimin e gjuhës, çdo maturant duhet të paguajë një faturë prej 55 eurosh si taksë regjistrimi te Instituti Italian i Kulturës dhe certifikimi i gjuhës bëhet nga Universiteti për të Huajt i Peruxhia-s në Itali. Ndërsa kostoja për studentin që do të përsërisë vetëm një provë është 40 euro. Provimi i dytë për certifikatën “Celi 3” që do të zhvillohet në datën 6 mars të këtij viti do të zgjasë katër orë. Në momentin e hyrjes në provim, duhet të paraqesin: Për të rriturit: dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, kartë identiteti ose patentën e re ). Për minorenet: dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, certifikatë me fotografi ); laps të zi (është i ndaluar përdorimi i stilolapsit). Po ashtu, Instituti Italian i Kulturës sqaron se gjatë zhvillimit të provimit është e ndaluar futja në ambientet e provimit të çfarëdolloj materiali (libra, fletore, fjalorë etj, ) si dhe celularë.
Provimi përfshin pesë prova
1. Prova e leximit
2. Prova e shkrimit
3. Prova e linguistikës
4. Prova e dëgjimit
5. Prova e të folurit



















